Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka njoftuar se, në kuadër të hetimeve ndaj Ajdin Islamajt, ish-Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ka mbledhur atë që i konsideron prova dhe indicie për një ndërtim të paligjshëm në një pronë të regjistruar në emër të babait të tij.
Sipas pretendimeve të AMP-së, në këtë pronë, ku banon edhe Ajdin Islamaj, është ndërtuar pa leje një kat shtesë mbi një godinë ekzistuese dykatëshe, si dhe janë kryer punime të tjera për përshtatjen e objektit për aktivitet hotelerie.
AMP pretendon se një ekspertizë teknike ka arritur në përfundimin se bëhet fjalë për një ndërtim të ri, për të cilin kërkohej leje ndërtimi, ndërsa nga verifikimet e kryera nuk rezulton të jetë lëshuar një leje e tillë.
Gjithashtu, sipas agjencisë, sipërfaqja e ndërtuar pa leje është të paktën 159 metra katrorë dhe përdoret për aktivitet hotelier.
Në njoftimin e saj, AMP pretendon gjithashtu se analizat e pamjeve satelitore tregojnë se punimet janë kryer gjatë vitit 2025, kohë kur Ajdin Islamaj ushtronte detyrën në Sarandë. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Pas publikimit të këtyre pretendimeve, ka reaguar babai i tij, Gani Islamaj, i cili i ka kundërshtuar kategorikisht akuzat dhe ka deklaruar se objekti në fjalë është i ligjshëm.
Në një deklaratë publike, ai shprehet se njoftimi i AMP-së dhe pasqyrimi i tij në media përmbajnë të dhëna të pavërteta që cenojnë imazhin e tij dhe rëndojnë padrejtësisht pozitën ligjore të djalit të tij.
Sipas Gani Islamajt, objekti 3-katësh në Sarandë është pronë e tij e regjistruar rregullisht dhe disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor, përfshirë certifikata pronësie, leje zhvillimi dhe leje ndërtimi të miratuara nga Bashkia Sarandë. Ai thekson se hoteli ushtron aktivitet të ligjshëm, me NIPT aktiv dhe markë tregtare të regjistruar.
Më tej, ai pretendon se organet hetimore po krijojnë një perceptim të gabuar publik për çështjen, ndërsa ngre shqetësime edhe për mënyrën e kryerjes së kontrolleve në pronën e tij. Sipas tij, në disa raste kontrollet janë zhvilluar pa dijeninë e pronarit dhe punonjës të AMP-së kanë hyrë në objekt mbi bazën e urdhrave verbalë të prokurorëve.
Gani Islamaj ka bërë të ditur se do të publikojë dokumentacionin e plotë të pronës dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tij, ndërsa i ka bërë thirrje AMP-së dhe Prokurorisë të respektojnë dokumentacionin zyrtar dhe parimin e procesit të rregullt ligjor.
Çështja mbetet në hetim dhe pretendimet e ngritura nga palët do t’i nënshtrohen vlerësimit të organeve kompetente dhe procesit gjyqësor.










