Një avion me rreth 90 pasagjerë, i ardhur nga Serbia, është ndaluar këtë të mërkurë në Aeroportin e Tivatit, ku autoritetet malazeze po zhvillojnë kontrolle të detajuara sigurie ndaj udhëtarëve.
Policia e Malit të Zi njoftoi se masat e shtuara të kontrollit po zbatohen në prag të Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat më 5 qershor.
“Në kuadër të këtyre masave, në pikën kufitare të Aeroportit të Tivatit u përzgjodh për kontroll një fluturim çarter në linjën Beograd-Tivat, me të cilin këtë mëngjes mbërritën rreth 90 shtetas serbë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas autoriteteve, po kryhen verifikime lidhur me arsyen e hyrjes dhe qëndrimit të këtyre personave në Mal të Zi. Policia theksoi se, nëse konstatohet bazë ligjore, do të ndërmerren edhe masa kufizuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, policia nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me raportimet e gazetës malazeze Vijesti, sipas të cilave disa nga pasagjerët konsiderohen “persona me interes nga aspekti i sigurisë” dhe, në shumicën e rasteve, kanë precedentë penalë.
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizja Evropa Tani, Tonqi Janoviç, përshëndeti reagimin e institucioneve malazeze. Në një reagim në rrjetin social X, ai deklaroi se “një grup personash me dosje të gjera zgjodhën të vinin në Tivat pikërisht në kohën kur Mali i Zi po organizon ngjarjen më të madhe ndërkombëtare të vitit, nën masat më të larta të sigurisë”.
Dakle, grupa ljudi sa pozamašnim dosijeima odlučila je da baš u vrijeme najvećeg međunarodnog skupa u Crnoj Gori, kada je angažovano preko 1.500 policijskih službenika i kada su na snazi najviše bezbjednosne mjere, dođe u Tivat. Baš zanimljiv izbor termina. 🤔
Naravno, možda su… pic.twitter.com/Az13Usup4c— Toni Janovic (@Toni_Janovic) June 3, 2026
Ai shtoi se ky rast dëshmon se kërcënimet hibride dhe sfidat e tjera të sigurisë janë realitet i kohës moderne, por edhe se institucionet malazeze po veprojnë me seriozitet dhe përgjegjësi.
Nga ana tjetër, Policia e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me raportimet e disa mediave malazeze se personat e mbërritur me këtë fluturim mund të kenë qenë të angazhuar për sigurimin jozyrtar të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.
As Presidenca e Serbisë nuk komentoi mbi këto pretendime. Po ashtu, kompania ajrore kombëtare Air Serbia nuk iu përgjigj pyetjeve nëse avioni i përfshirë ishte pjesë e flotës së saj dhe kush e kishte charteruar fluturimin.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbledhë në Tivat liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrja e presidentit serb Aleksandar Vuçiç është konfirmuar, pas mungesës së tij në samitin e fundit të mbajtur në Bruksel në dhjetor 2025.
Takimi i këtij viti konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për Malin e Zi, i cili mbetet vendi i vetëm në rajon që aktualisht gëzon një perspektivë të qartë dhe të prekshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.











