Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar detaje mbi programin e ri “Pas Shkolle”, i cili po pilotohet në disa shkolla të vendit, si dhe mbi masat organizative dhe disiplinore për Maturën Shtetërore. Sipas saj, programi “Pas Shkolle” vjen si një risi e përfshirë për herë të parë në ligjin për arsimin parauniversitar, duke krijuar një bazë të re ligjore për zhvillimin e tij dhe duke synuar mbështetje më të madhe për nxënësit pas përfundimit të orarit mësimor.
Kumbaro theksoi se është dyfishuar pagesa për mësuesit e angazhuar në këtë program, ndërsa puna për ndërtimin e tij, sipas saj, po bëhet hap pas hapi dhe jo menjëherë. Ajo nënvizoi se programi përfshin nxënësit e klasave 1–5 dhe aktivitete si përgatitja e detyrave të shtëpisë dhe klubet artistike “Art dhe Zeje”, përfshirë muzikën, teatrin, artin pamor, kërcimin dhe zejet. Aktualisht, programi po pilotohet në 45 shkolla në Tiranë me rreth 4,500 nxënës dhe 308 mësues, si dhe në Kamëz në dy shkolla me 17 mësues dhe 240 nxënës, në bashkëpunim edhe me UNICEF dhe Save the Children.
Duke folur për Maturën Shtetërore, ministrja bëri të ditur se procesi përgatitor ka nisur që në dhjetor 2025, me publikimin e modeleve të testeve online dhe testime provë në kushte reale. Sipas saj, këtë vit janë 144 qendra provimi në të gjithë vendin dhe mbi 170 monitorues të angazhuar drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse.
Ajo shtoi se është zhvilluar edhe një fushatë sensibilizimi për maturantët mbi rregullat e provimeve, ku përdorimi i celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike është rreptësisht i ndaluar. Çdo shkelje e këtyre rregullave do të sjellë përjashtim automatik nga provimi, theksoi Kumbaro, duke apeluar që nxënësit të mos rrezikojnë rezultatet e viteve të shkollimit për shkak të shkeljeve disiplinore.
“Kjo fazë erdhi pasi për herë të parë me ndryshimin që bëmë në ligjin për arsimin parauniversitar, kemi përfshirë edhe nocionin ‘Pas Shkolle’, duke siguruar një bazë të mirë ligjore për ta çuar përpara këtë program; Po ashtu, me VKM që përgatitëm, dyfishuam edhe pagesën për orë të çdo mësuesi që angazhohet në këtë program, duke ofruar një shpërblim më dinjitoz; Nuk do të bëhet sot për nesër, por po ndërtojmë hap pas hapi themelet ku do të ngrihet në mënyrë solide ky program.
E di që është pritur shumë mirë nga prindërit, po ashtu nga shkollat, por kam marrë shumë pyetje në lidhje me ushqimin në shkolla që dua t’u përgjigjem. Përpara se të nisim infrastrukturën fizike, po ndërtojmë me kujdes gjithë infrastrukturën ligjore dhe kjo ka qenë puna që ekipi i Ministrisë së Arsimit ka bërë me intensitet në këta 6-7 muajt e fundit. Kemi shfrytëzuar këtë periudhë të përfundimit të vitit shkollor, për të pilotuar programin pas shkolle, që po e studiojmë imtësisht ditë pas dite.
Dhe dua të ndaj disa të dhëna dhe shifra shumë interesante: Në ‘Pas shkolle’ për klasat 1-5, përfshihet programi “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe klubet “Art dhe Zeje” që janë 5 të tilla: Klubi i muzikës; Klubi i teatrit; Klubi i artit pamor; Klubi i kërcimit; Klubi i zejeve. Në Tiranë, në 45 shkolla që po pilotohet programi, kemi 308 mësues të angazhuar dhe rreth 4500 nxënës. Në Kamëz, në 2 shkolla, kemi 17 mësues të përfshirë dhe 240 nxënës. E gjitha kjo me një ekspertizë dhe mbështetje edhe nga partneret tanë UNICEF, Save the Children.
Bëhet fjalë për një punë shumë voluminoze të filluar që në muajin dhjetor të vitit 2025, kur miratuam rregulloren e maturës shtetërore. Ka qenë një proces i përditshëm për maturantët, ka filluar me publikimin online të modeleve të provimeve disa muaj më përpara, duke u dhënë mundësinë të ushtrohet. Dhe ka kulmuar me testet provë në qendrat e provimeve, ku janë simuluar provimet e maturës, fiks në të njëjtat kushte siç do të zhvillohen në datë 2, 9, 16 dhe 23 qershor, që nga organizimi logjistik, deri te masat e sigurisë, ndarja në klasa, kryerja e provimit sipas kohëzgjatjes etj.
Kemi 144 qendra provimi në gjithë vendin, janë mbi 170 monitorues direkt nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla, është një proces që përfshin Ministrinë e Arsimit, Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Drejtoritë Rajonale Arsimore, Zyrat Vendore Arsimore dhe sigurisht Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
Kemi nisur dhe po kryejmë një fushatë sensibilizimi për Maturantët, për çfarë nuk lejohet gjatë provimit, ku patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi. Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, tha ministrja Kumbaro.











