Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e 17 vjeçarit gjatë mesnatës në zonën e Kthesës së Kamzës.
Katër të rinjtë ndodheshin në banesën e 19 vjeçarit Rigers Sylaj, autorit të ngjarjes.
Mësohet se ata ishin duke konsumuar alkool dhe në një moment 19 vjeçari ka marrë pistoletën për t’ja treguarr shokëve dhe dyshohet se pa e ditur që në të kishte fishekë ia ka drejtuar në kokë shokut të tij 17 vjeçar.
Ky i fundit mori një plagë në kokë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.
Sipas burimeve, 19 vjeçari së bashku me dy shokët e tjerë, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç, të frikësuar e kanë nxjerrë shokun e tyre të plagosur në oborr pasi shtëpia është private dhe kanë njoftuar ambulancën.
Fillimisht ata kanë pohuar se kanë dëgjuar një të shtënë arme dhe shoku i tyre është plagosur në oborr.
Por teksa janë marrë sërisht në pyetje kanë treguar se ishin duke pirë alkool në banesë dhe ngjarja ka ndodhur aksidentalisht teksa 19 vjeçari Sylaj po u tregonte pistoletën.











