Presidenti i Kinës, Xi Jinping, priti me nderime të larta shtetërore presidentin rus Vladimir Putin në Pallatin e Popullit në Pekin, në kuadër të vizitës 24-orëshe të liderit rus në Kinë.
Të dyja palët synojnë thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, në një moment tensionesh të larta në arenën ndërkombëtare.
Gjatë nisjes së bisedimeve, Xi Jinping foli për një situatë globale të karakterizuar nga “trazira dhe transformime të vazhdueshme”, duke kritikuar tërthorazi politikën e jashtme amerikane.
“Sjelljet hegjemoniste dhe të njëanshme po veprojnë pa kontroll”, deklaroi presidenti kinez, duke përdorur retorikën e zakonshme të Pekinit ndaj ndikimit global të Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, Kina dhe Rusia duhet të forcojnë “koordinimin e përgjithshëm strategjik”.
Xi Jinping u ndal edhe te përplasja mes SHBA-Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se përfundimi sa më i shpejtë i konfliktit do të ndihmonte në uljen e tronditjeve në tregjet energjetike, zinxhirët e furnizimit dhe tregtinë globale.
“Ndërprerja e plotë e luftës nuk mund të vonohet. Rifillimi i luftimeve është edhe më pak i dëshirueshëm, ndërsa vazhdimi i negociatave mbetet thelbësor”, deklaroi lideri kinez.
Vizita e Putinit vjen në një periudhë kur Moska dhe Pekini kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin në tregti, diplomaci dhe siguri. Kjo është vizita e 25-të zyrtare e presidentit rus në Kinë gjatë afro 25 viteve të dominimit të tij politik në Rusi.
Sipas analistëve, takimi mes dy liderëve pritet të fokusohet jo vetëm në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe në zhvillimet që lidhen me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe vizitën e fundit të Donald Trump në Pekin.
Në tryezën e diskutimeve pritet të rikthehet edhe projekti energjetik “Fuqia e Siberisë 2”, një gazsjellës gjigant që synon të lidhë rezervat ruse të gazit në Siberinë veriore me Kinën përmes Mongolisë. Projekti konsiderohet jetik për Rusinë, e cila kërkon të rrisë eksportet e hidrokarbureve përballë sanksioneve europiane të vendosura pas luftës në Ukrainë, megjithëse realizimi i tij po ecën me ritme të ngadalta.











