Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podcastit “Flasim” u ndal te prokurimet publike, ku tha se vendi ynë vlerësohet si i pari në rajon mbi treguesit e kësaj fushe.
Rama foli edhe në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve në vendin tonë, si një hap në luftën kundër korrupsionit.
Fjala e Ramës:
Këtë javë ndamë disa të dhëna kuptimplota për ecurinë e jashtëzakonshme të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike. Një nga kapitujt më të rëndësishëm të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një kapitull ku, ndryshe nga pasqyra tërësisht e deformuar e realitetit e kanaleve dhe e portaleve të këtushme, Shqipëria shihet si e transformuar pozitivisht dhe vlerësohet me një progres domethënës.
Sot, në bazë të vlerësimit europian, Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë kryesorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Për shembull, ndërsa mesatarja e procedurave me një ofertues në vendet e BE-së është mbi 32%, në Shqipëri kjo shifër është 23.5%, ndërsa në prokurimet për punë publike ajo zbret në 12%. Edhe të dhëna të tjera flasin pikërisht për faktin se lufta kundër korrupsionit, e cila nuk është thjesht dhe vetëm lufta në frontin që ne mundësuam dhe që, falë vullnetit tonë, u hap në anën e drejtësisë, por është edhe lufta e përditshme sistematike në anën e modernizimit të shtetit dhe të ndërtimit të sistemeve që e bëjnë gjithmonë e më pak të pranishme prezencën e korrupsionit.
Janë rezultatet që tregojnë se, nga njëra anë, qytetarët tanë shërbehen tanimë prej vitesh me një klik në sistemin e shërbimeve digjitale, ku 95% e shërbimeve që ata kërkojnë nga shteti janë në platformën e-Albania. Pra, nuk janë më radhët, nuk janë më ryshfetet për të kaluar radhën e kështu me radhë, por është marrëdhënia e drejtpërdrejtë me shtetin. Ndërsa, nga ana tjetër, është pikërisht i gjithë sistemi i prokurimeve publike. Prandaj jam krenar sot që Shqipëria përmendet si një shembull pozitiv nga ata që na gjykojnë objektivisht, ndryshe nga çfarë ndodh në pasqyrat e deformuara të gjykatësve popullorë, subjektivë, partiakë dhe gjysmë të verbër ose tërësisht të verbër.











