Inter ka marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Lazio në “Olimpico”, në atë që shërbeu si prova e fundit para finales së Kupës së Italisë, e cila do të luhet sërish në kryeqytet.
Skuadra e Chivu, që zbriti për herë të parë në fushë me stemën e kampionit në fanellë, kontrolloi ndeshjen pa shumë vështirësi dhe e mbylli gjithçka me golat e Lautaro Martinez, Sucic dhe Mkhitaryan.
Inter e nisi menjëherë fort takimin. Në minutën e 6-të, pas një aksioni të nisur nga Bisseck dhe një devijimi me kokë të Thuram, Lautaro Martinez u tregua vendimtar në zonë dhe kaloi zikaltërit në avantazh.
Lazio nuk arriti të reagojë siç duhet, ndërsa Inter vazhdoi të menaxhonte lojën me qetësi. Në fundin e pjesës së parë, Lautaro u kthye sërish protagonist, këtë herë si asistues. Argjentinasi pasoi për Sucic, i cili realizoi një gol të bukur me të majtën dhe dyfishoi rezultatin.
Mesfushori kroat nuk gjeti vetëm golin, por bëri edhe një paraqitje shumë të mirë në rolin e regjisorit, në mungesë të Calhanoglu dhe Zielinski.
Në pjesën e dytë, ritmi ra ndjeshëm dhe të dy trajnerët nisën të mendonin edhe për finalen e Kupës së Italisë, duke bërë disa ndryshime. Megjithatë, ndeshja u ndez papritur pas ndërhyrjes së ashpër të Romagnoli ndaj Bonny. Fillimisht arbitri dha karton të verdhë, por pas ndërhyrjes së VAR vendimi u ndryshua dhe mbrojtësi i Lazio u ndëshkua me karton të kuq.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Lazio tentoi të reagonte dhe iu afrua golit me Isaksen, por Carlos Augusto ndërhyri në mënyrë vendimtare dhe shmangu rrezikun.
Inter më pas e mbylli përfundimisht ndeshjen në minutën e 76-të. Bonny dhe Frattesi kombinuan bukur, ndërsa francezi shërbeu për Mkhitaryan, i cili realizoi golin e tretë nën traversë.
Në fund, Chivu i dha mundësinë edhe të riut Mosconi, i lindur në vitin 2007, që debutoi me fanellën e Inter. Zikaltërit festuan në mënyrën më të mirë ndeshjen e parë pas titullit kampion dhe tani kthejnë vëmendjen te finalja e Kupës së Italisë, ku do të përballen sërish me Lazio në “Olimpico”.











