Drejtuesit e automjeteve që kapen duke drejtuar makinën nën efektin e alkoolit mbi 0.5 g/l do t’u hiqet patenta përgjithmonë. Kështu thuhet në një amendament të propozuar nga Partia Socialiste për kodin rrugor.
“Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”
Por jo vetëm kaq. Masa të ashpra do të ketë edhe për ata persona që i japin makinës pa leje drejtimi. Atyre do t’u shtyhet e drejta për t’u pajisur me patentë për një vit, ndërsa për të miturit afati shtyhet me dy vite nga momenti kur u lind e drejta për ta marrë atë.
Ky amendament i hartuar nga deputetët Ulsi Manja dhe Erion Braçe, parashikon dhe kufizime për shoferët e rinj, të pajisur me patentë të kategorisë “B”.
“Drejtuesit e mjeteve, të cilët janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë ‘B’ brenda 24 (njëzet e katër) muajve të fundit, i nënshtrohen këtyre kufizimeve të posaçme:a) kufiri i lejuar i alkoolit në gjak është 0.0‰; b) shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara; c) ndalohet drejtimi i mjetit nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues, i pajisur me leje drejtimi prej të paktën 3 (tre) vjetësh.”
Amendamentet përfshijnë edhe rritje të gjobave për shkeljet e rënda në qarkullim, si manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim dhe sjelljet e rrezikshme në zonat urbane.











