Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka hedhur poshtë kritikat se Pep Guardiola ndryshon gjithçka në ndeshjet e mëdha dhe e komplikon tepër taktikën.
Para ndeshjes së kthimit gjysmëfinale në Champions League ndaj PSG, Kompany u pyet nëse do të përgatisë ndonjë surprizë taktike për të përmbysur rezultatin në “Allianz Arena”. Belgu la të kuptohet se nuk pritet ndonjë revolucion në formacion, por vetëm rregullime të vogla.
“Imagjinoni sikur të thoja se dua të bëj diçka krejt ndryshe. Do të ishte një përgjigje shumë e gabuar nga ana ime”, tha Kompany.
Ai theksoi se Bayern duhet të qëndrojë besnik ndaj pikave të forta: presing agresiv, lojë sulmuese dhe intensitet i lartë. Sipas tij, lojtarët kanë nevojë për besim dhe jo për ndryshime të mëdha në një moment kaq vendimtar.
“Mendoj se kam parë rreth 35 ndeshje të PSG. Lojtarët kanë nevojë të inkurajohen për të vazhduar atë që kanë bërë deri tani”, shtoi trajneri i Bayern.
Kompany mbrojti edhe ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola, i cili prej vitesh është kritikuar se në ndeshjet e mëdha shpesh mendon më shumë seç duhet taktikisht.
“Kam luajtur nën drejtimin e Pep. Nuk është e vërtetë që ai ndryshon gjithçka në ndeshjet e mëdha. Kjo është marrëzi mediatike. Kur humbet, duhet të shpjegohesh. Kur fiton, ke të drejtë”, u shpreh Kompany.
Para duelit me PSG, dilema kryesore për Bayern mbetet në krahët e mbrojtjes, ku Laimer, Stanisic dhe Davies garojnë për dy vende. Kompany i vlerësoi të tre, duke theksuar se secili ka karakteristika të ndryshme dhe mund t’i shërbejë skuadrës.
Bayern duhet të fitojë ndaj PSG për të vazhduar ëndrrën në Champions League, ndërsa Kompany duket i vendosur të mos eksperimentojë, por të mbështetet te identiteti që skuadra ka ndërtuar gjatë sezonit.











