Inter është shpallur kampion i Italisë për herë të 21-të në histori. Fitorja ndaj Parma i dha skuadrës zikaltër sigurinë matematike të titullit, tre javë para fundit të kampionatit.
Ky Scudetto ka një peshë të veçantë, sepse vjen vetëm 12 muaj pas një prej netëve më të dhimbshme për klubin: finalja e Champions League ndaj PSG, e humbur 5-0 në Mynih. Ajo mbrëmje dukej si fundi i një cikli, por Inter arriti të rindërtohej shpejt dhe të kthehej menjëherë në majën e futbollit italian.

Vendimi më i rëndësishëm ishte zgjedhja e Cristian Chivu në stol. Ish-mbrojtësi i Inter, pjesë e skuadrës së Tripletës, mori drejtimin e një ekipi të madh edhe pse kishte pak eksperiencë në Serie A. Fillimi nuk ishte i lehtë, me dy humbje në tre javët e para, por trajneri rumun fitoi shpejt besimin e grupit.
Chivu nuk ndryshoi shumë nga sistemi i trashëguar prej Simone Inzaghi. Ai ruajti formacionin 3-5-2, por i dha skuadrës më shumë vertikalitet, energji dhe besim. Menaxhimi i grupit, sidomos në momentet e vështira, ishte një nga çelësat kryesorë të suksesit.
Një rol të rëndësishëm patën edhe zgjedhjet e klubit në merkato. Inter nuk arriti të merrte Ademola Lookman, por freskia e lojtarëve si Pio Esposito dhe Ange-Yoan Bonny i dha skuadrës më shumë alternativa në sulm. Ndryshe nga sezoni i kaluar, rotacionet funksionuan më mirë dhe ekipi nuk u rrëzua fizikisht në fund.
Megjithatë, protagonistët kryesorë mbetën emrat e mëdhenj. Federico Dimarco zhvilloi një sezon fantastik, me 17 asiste dhe 6 gola, duke u bërë një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit. Lautaro Martinez, kapiteni i skuadrës, u konfirmua sërish lider, duke e mbyllur sezonin si golashënuesi më i mirë i Serie A.
Edhe Hakan Calhanoglu, pavarësisht problemeve fizike, ishte vendimtar me personalitetin dhe cilësinë e tij në mesfushë. Nicolò Barella u rikthye fuqishëm në pjesën e fundit të sezonit, ndërsa Alessandro Bastoni vazhdoi të ishte një pikë kyçe në ndërtimin e lojës nga prapavija.
E vetmja njollë e vogël e sezonit ishte bilanci në ndeshjet direkte, ku Inter nuk shkëlqeu ndaj rivalëve kryesorë. Por kjo nuk e zbeh aspak titullin. Zikaltërit patën sulmin më të mirë të kampionatit me 81 gola dhe mbajtën portën e paprekur në 16 ndeshje.
Në fund, rruga e gjatë e kampionatit dha verdiktin më të drejtë: Inter ishte skuadra më e fortë dhe e meritoi Scudetto nr. 21.











