Mbrëmjen e së hënës është arrestuar një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, 31-vjeçari Ervin Mata. Ai prej disa vitesh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Lokalizimi i tij u bë i mundur në një provincë të Brazilit, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Mata fshihej prej kohësh me dokumente angleze të falsifikuara, të paktën sipas njoftimit të policisë braziliane. Gjykata Supreme e Brazilit ka firmosur urdhër-arrestin e tij dhe pritet të nisin menjëherë procedurat për ekstradimin, pasi arrestimi është bërë me kërkesë të Interpol Tirana.
Tashmë pritet që Prokuroria e Posaçme të kopsitë të gjithë dosjen dhe t’ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, e cila më pas do t’ua dërgojë institucioneve ligjzbatuese në Brazil për të bërë të mundur ekstradimin e tij në vendin tonë.
Mata do të përballet me akuzat e SPAK-ut, i cili e ka shpallur në kërkim që prej vitit 2023 si një nga kokat e grupeve kriminale që ka trafikuar qindra kilogramë kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës dhe Shqipërisë.
Ervin Mata është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, i konsideruar si një nga baronët e drogës. Prokuroria e Posaçme ka arritur të dokumentojë me fakte përfshirjen e tij në katër episode ku janë trafikuar qindra kilogramë kokainë nga Amerika Latine, kryesisht nga Ekuadori dhe Brazili.
Lënda narkotike fillimisht zbarkonte në disa porte të Evropës dhe më pas shpërndahej në qytete të tjera evropiane dhe në Shqipëri. Sipas SPAK, paratë janë investuar kryesisht në Shqipëri në biznese dhe prona të shumta. Janë verifikuar pasuritë e familjarëve të tij dhe është bërë sekuestrimi i tyre.
Në këtë dosje është i përfshirë edhe nipi i tij, Realbi Breçani, djali i ish-drejtuesit të lartë të policisë, Erzen Breçani. Realbi Breçani u kap në Spanjë në prill të këtij viti dhe gjithashtu do të përballet me akuzat e ngritura. Ndërkohë, për Erzen Breçanin është caktuar masa “detyrim paraqitjeje”.
Ervin Mata është gjithashtu një personazh i njohur për “masakrën e Bllokut”, ku pati një përplasje mes tij dhe bosit të lojërave të fatit, tashmë të zhdukur, Ervis Martini. Ky konflikt nisi pasi Martini kishte ngacmuar të fejuarën e Matës në atë kohë, këngëtaren Elvana Gjata.
Është çështje kohe dhe procedurash burokratike mes institucioneve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Brazilit. Organi i akuzës (SPAK) do të mbledhë të gjitha faktet dhe provat e hetuara, përfshirë episodet e trafikut të drogës, dhe do t’ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë. Pas përkthimeve zyrtare, ato do t’i dërgohen shtetit të Brazilit, ku me një vendim gjykate pritet ekstradimi i tij.
Përveç trafikimit të lëndëve narkotike, ndaj Ervin Matës rëndojnë disa akuza. SPAK ka dokumentuar katër raste specifike:
Sekuestrimi i 446 kg kokainë në Holandë më 5 janar 2021, ku Mata dyshohet si organizator.
Sekuestrimi i 61 kg kokainë në Brazil më 18 shkurt 2021.
Sekuestrimi i 166 kg marihuanë në Spanjë, e nisur për në Gjermani.
Sekuestrimi i 250 kg kokainë të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurtit, Gjermani.
Këto episode janë dokumentuar në bashkëpunim me nëntë shtete evropiane. Gjithashtu, ka dyshime se grupi ku bën pjesë Ervin Mata është i përfshirë në porositjen e disa vrasjeve, ngjarje të cilat po hetohen ende nga SPAK.
Ka një fuqizim të bashkëpunimit ndërkombëtar të SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit. Kjo ka sjellë rezultate të rëndësishme në kapjen e personave të shumëkërkuar që u kishin shpëtuar akuzave prej vitesh.
Në rastin e Ervin Matës, kujtojmë se pas masakrës në ish-Bllok, ai u arratis dhe u vetëdorëzua vetëm pesë muaj pas ngjarjes. Ai pretendoi se ishte larguar nga frika dhe se nuk e dinte kush kishte qëlluar.
Ndonëse prokuroria kërkoi arrestimin e tij, gjykata e la me “detyrim paraqitjeje”, duke i krijuar kushte që të arratisej përsëri sapo SPAK nisi goditjen e grupeve kriminale.
Megjithatë, laku po ngushtohet për shkak të bashkëpunimit me partnerët e huaj. Shqipëria ka arritur të kryejë ekstradime edhe nga vende si Emiratet e Bashkuara (Dubai), që dikur konsideroheshin “parajsa” për personat e kërkuar për krime të rënda.











