Groenlanda ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare pas deklaratave të Donald Trump. Ishulli në Arktik është një territor i Danimarkës, por që gëzon autonomi.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka shprehur dëshirën për të zotëruar këtë territor dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake ose masat ekonomike për të marrë ishullin nën kontroll. Sipas tij, kjo është e nevojshme për të mbrojtur botën e lirë.
“Ne kemi nevojë për Groenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare. Më kanë thënë këtë për një kohë të gjatë shumë kohë përpara se të kandidoja për president. E kam fjalën, njerëzit kanë folur për këtë çështje për një kohë të gjatë. Ka afërsisht 45,000 njerëz atje që nuk e dinë nëse Danimarka ka ndonjë të drejtë ligjore për të, por nëse e kanë, ata duhet të heqin dorë nga ajo, sepse ne kemi nevojë për botën e lirë. Nuk keni nevojë as për dylbi për të parë anije kineze e ruse kudo (në Groenlandë). Nuk do ta lejojmë të ndodhë. Ndoshta vetë banorët në Groenlandë do të votojnë për pavarësinë ose për tu bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Por nëse nuk do ta arrinim ta bënim këtë, atëherë unë do ta tarifoja Danimarkën në një nivel shumë të lartë”.
Trump fillimisht shprehu interes për blerjen e ishullit kryesisht të mbuluar me akull nga Danimarka në vitin 2019, por u refuzua.
Por pse Donald Trump e dëshiron këtë territor?
Groenlanda , pjesë e NATO-s ka një rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm të raketave balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit Arktik.
Ushtria amerikane ka një prani të përhershme në bazën ajrore Pituffik në veriperëndim të Groenlandës.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interes për të zgjeruar praninë e tyre ushtarake, duke përfshirë vendosjen e radarëve atje për të monitoruar ujërat midis ishullit, Islandës dhe Britanisë, të cilat janë një portë për anijet e marinës ruse dhe nëndetëset bërthamore.
Groenlanda është gjeografikisht pjesë e kontinentit të Amerikës së Veriut dhe është jetike për Shtetet e Bashkuara të parandalojnë çdo fuqi tjetër të madhe që të ketë ndikimin e saj në ishull, sipas Ulrik Pram Gad, një studiues dhe ekspert i lartë për Groenlandën në Institutin Danez të Studimeve Ndërkombëtare.
“Gjatë Luftës së Dytë Botërore SHBA ndërtoi një numër të madh bazash dhe gjatë luftës së ftohtë edhe më shumë akoma. Ka patur një numër prej 10 000 ushtarësh amerikanë në këtë zonë. Aktualisht ka një bazë të quajtur baza Pituffik ku ndodhen 300 ushtarë.”
Ishulli, kryeqyteti i të cilit është më afër Nju Jorkut sesa kryeqyteti danez Kopenhagen, krenohet me pasuri minerale, nafte dhe gazi natyror, por zhvillimi ka qenë i ngadaltë.
Një raport i vitit 2023 tregoi se 25 nga 34 mineralet e konsideruara “lëndë të para kritike” nga Komisioni Evropian u gjetën në Groenlandë.
Ato përfshijnë sasi të konsiderueshme të materialeve të përdorura në bateri, të tilla si grafiti dhe litiumi.
Groenlanda ka ndaluar nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror për arsye mjedisore dhe zhvillimi i sektorit të saj minerar ka ngecur për shkak të kundërshtimeve nga banorët e zonës.
Kjo e ka mbajtur ekonominë e Grenlandës të varur nga peshkimi, i cili përbën mbi 95% të eksporteve dhe subvencionet vjetore nga Danimarka, të cilat mbulojnë afërsisht gjysmën e buxhetit publik.
Në total, Danimarka shpenzon më pak se 1 miliard Dollarë çdo vit në Groenlandë .
Ajo ka qenë pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet, por tani kontrollon shumicën e punëve të saj të brendshme si një territor gjysmë sovran nën mbretërinë daneze.
Ai u bë një territor zyrtar i Danimarkës në 1953 ndërsa në vitin 2009, ishullit iu dha një autonomi e gjerë vetëqeverisëse, duke përfshirë të drejtën për të shpallur pavarësinë nga Danimarka përmes një referendumi.
Kryeministri i Groenlandës Mute Egede, i cili ka rritur përpjekjet për pavarësi, ka thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje dhe se i takon popullit të tij të vendosë për të ardhmen e tyre.
Kur Groenlanda ishte ende një koloni, SHBA nën Presidentin e atëhershëm Harry Truman u përpoq të blinte ishullin si një aset strategjik gjatë Luftës së Ftohtë, por Kopenhaga nuk pranoi ta shesë.
Nëse Groenlanda bëhet e pavarur, ajo mund të zgjedhë të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa shumica e banorëve të Groenlandës duan pavarësinë, pak e shohin këtë opsion si plotësisht të zbatueshëm duke pasur parasysh varësinë e tyre ekonomike nga Danimarka, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian.
Politikanët e Groenlandës që nga viti 2019 kanë thënë vazhdimisht se janë të interesuar në forcimin e bashkëpunimit dhe tregtisë me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, Aaja Chemnitz, një anëtare e parlamentin danez, tha se një ide e tillë duhet të refuzohet.
E pyetur për dëshirën e Trump për të blerë ishullin vetë kryeministrja e Danimarkës është shprehur kështu.
“Dua të them disa fjalë për diskutimin që po zhvillohet për Groenlandën tani. Dua ta bëj shumë të qartë se në sytë e qeverisë daneze, Groenlanda është për popullin e Groenlandës. Është një popull shumë krenar, me gjuhën dhe kulturën e tij. Siç ka deklaruar më parë kryeministri i qeverisë së Groenlandës, Mute Egede, Groenlanda nuk është në shitje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë absolut më i afërt dhe ne duam gjithmonë të punojmë ngushtë me ta në të gjitha çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë. Ne kemi një interes të qartë, nga këndvështrimi i Perëndimit, që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol të madh në zonë, dhe jo, për shembull, Rusia apo vende të tjera. Por Groenlanda është për popullin e Groenlandës .”
Aleatët republikanë të Trump në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së duan që të marrin sa më shumë mbështetje për një projekt-ligj, i cili, nëse miratohet, do të lejojë presidentin të hyjë në negociata me Danimarkën më 20 Janar, kur Trump të marrë detyrën.