Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, të vrarë 15 vite më parë para Kryeministyrisë gjatë protestës së 21 Janarit, këtë të enjte ka shkuar pranë Kuvendit për t’i dorëzuar një kërkesë kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Kujtojmë se tashmë kanë kaluar 2 vite e gjysmë nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut dhe 2 vite nga Gjykata e Lartë, të cilat urdhëruan zbulimin e përgjegjësve të vrasjes së 4 personave gjatë protestave të 21 Janarit 2011, teksa SPAK ende nuk ka një konkluzion të hetimeve.
Nika i ka kërkuar Ballës ndihmë nga Kuvendi për të ndikuar në SPAK për përshpejtim të hetimeve, mësohet se xhaxhai i të ndjerit Aleks Nika i ka thënë Ballës se qoftë edhe një rezolutë e miratuar në Kuvend si thirrje për prokurorët e posaçëm për këtë krim të rëndë shtetëror do të ndihmonte shumë, sipas raportimit të ReportTv.
Nika më tej është shprehur se nuk po zbatohen kërkesat e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë që e urdhëruan zbardhjen e rolit të zinxhirit komandues të gardës, përfshi ish-Kryeministrin Berisha, në këto vrasje.
“Kuvendi ka detyrimin të ndërhyjë, edhe për faktin se është i vetmi institucion që mbikëqyr SPAK në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, ka thënë Mark Nika.
Kujtojmë se tre javë më parë, Mark Nika pati një takim edhe me kryeprokurorin e SPAK Klodian Braho.











