Viktima Premtim Bega
Pas disa vitesh në arrati, është arrestuar në Belgjikë 29-vjeçari Nasi Hodo, i dënuar për një nga ngjarjet më të rënda kriminale në jug të vendit, e njohur si “Masakra e Borshit”. Kapja e tij u bë e mundur falë shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge përmes rrjetit ENFAST, duke çuar në lokalizimin dhe ndalimin e tij me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Hodo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Vlorës e kishte dënuar në vitin 2019 me 18 vite burg për vrasje me dashje në bashkëpunim, vrasje të mbetur në tentativë dhe plagosje të lehtë me dashje. Ai akuzohet se në korrik të vitit 2017, së bashku me dy persona të tjerë, vrau me thikë Premtim Bega dhe plagosi rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta në fshatin Borsh, Sarandë. Në të njëjtën ngjarje, Hodo ka plagosur edhe shtetasin D. K.
Ngjarja tronditi zonën në atë kohë për shkak të brutalitetit dhe rrethanave të konfliktit, ndërsa autori arriti t’i shmangej drejtësisë për vite me radhë. Tashmë pritet që, përmes bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve belge, të përfundojë procedura e ekstradimit të Nasi Hodo, i cili duhet të vuajë edhe mbi 13 vite burg nga dënimi i mbetur.











