Këtë të martë, më 14 prill, zhvillohet dita e dytë e Samitit të IV të Diasporës.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, aktivitetet e kësaj dite nisin me një prezantim mbi historitë e suksesit të diasporës shqiptare. Fjalën hapëse do ta mbajë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa fjala kryesore do të mbahet nga kryeministri Edi Rama.
Një ditë më parë, më 13 prill, u zhvillua ceremonia hapëse e Samitit të Diasporës në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.
I pari që mori fjalën ishte Presidenti Bajram Begaj, i cili theksoi se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Ai nënvizoi gjithashtu se diaspora duhet të jetë pjesë e pandarë e zhvillimit të vendit.
Gjatë ceremonisë, Presidenti Begaj nderoi disa figura me kontribut të veçantë kombëtar. Gentian Toshkëzi u dekorua me Urdhrin Suprem të Shqiponjës, ndërsa futbollisti Lorik Cana u vlerësua me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Klarita Gërxhani mori medaljen “Urdhri i Kalorësit të Lisit Akademik”, ndërsa Shqiponja Telhaj u nderua me të njëjtin titull.
Panelet e diskutimit për ditën e sotme
Paneli 1: Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: Nga vota te përfaqësimi institucional
Paneli 2: Diaspora partner në biznes dhe inovacion
Paneli 3: Diaspora dhe sistemi shëndetësor
Paneli 4: Këndi i librit – ‘Libri si urë identiteti’
Paneli 5: Diaspora mbarëshqiptare: A po bëjmë çfarë duhet bashkarisht?
Paneli 6: Mësimi digjital dhe standardizimi i gjuhës shqipe në diasporë
Paneli 7: Diaspora dhe kërkimi shkencor – programi read
Paneli 8: Zhvillimi lokal dhe rural – A ka rol për diasporën











