Policia ka arrestuar këtë të shtunë autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur një ditë më parë në Nikël.
Shtetasi Eduart Afmataj është vënë në pranga në zonën e Malësisë së Krujës, pas një operacioni kërkimi të zhvilluar nga uniformat blu, raporton gazetari i A2CNN Igli Çelmeta.
Afmataj dyshohet se qëlloi për vdekje me armë zjarri fqinjin e tij, Artur Çangu, në orët e mbrëmjes së djeshme.
Burime bëjnë me dije se menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari ka kontaktuar vetë policinë për të njoftuar mbi krimin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Hetimet paraprake tregojnë se mes autorit dhe viktimës kishte pasur një konflikt disa ditë më parë, i lidhur me çështje pronësie. Dyshohet se përplasja mes tyre ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit, duke përfunduar tragjikisht.
Policia dhe prokuroria vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.











