Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në gjashtë vende të Bashkimit Europian i shohin Shtetet e Bashkuara më shumë si kërcënim sesa si aleat gjatë presidencës së Donald Trump, sipas një sondazhi të raportuar nga Politico.
Sipas të dhënave, vetëm 12 për qind e të anketuarve në Poloni, Spanjë, Belgjikë, Francë, Gjermani dhe Itali i konsiderojnë SHBA-të si aleat të ngushtë, ndërsa 36 për qind i shohin si kërcënim.
Në krahasim, Kina perceptohet si kërcënim nga 29 për qind e të anketuarve.
Në nivel kombëtar, shqetësimi për Washington-in tejkalon atë për Pekinin në katër nga gjashtë vendet, ndërsa vetëm në Francë dhe Poloni, Kina shihet si kërcënim më i madh.
Ndërkohë, Rusia mbetet armiku më i qartë për europianët, me 70 për qind të të anketuarve që e konsiderojnë si kërcënim.
Në Spanjë, perceptimi negativ ndaj SHBA-ve është më i larti, me 51 për qind që e shohin si rrezik për Europën. Në Itali kjo shifër arrin në 46 për qind, në Belgjikë 42 për qind, në Francë 37 për qind dhe në Gjermani 30 për qind.
Përjashtim bën Polonia, e cila kufizohet me Rusinë dhe e konsideron aleancën me SHBA-të si garanci kyçe për sigurinë: vetëm 13 për qind e të anketuarve atje e shohin Washington-in si kërcënim.
Sondazhi “European Pulse”, i realizuar nga Cluster17 për Politico dhe beBartlet, përfshiu 6 mijë e 698 qytetarë në gjashtë vende europiane dhe u zhvillua nga 13 deri më 21 mars.











