Tottenham Hotspur ka hyrë në bisedime të avancuara me Roberto De Zerbin për ta emëruar si trajner të ri të skuadrës. Sipas burimeve, ish-trajneri i Brightonit, i cili më parë preferonte të priste deri në fund të sezonit, tani është i gatshëm të marrë drejtimin menjëherë.
Bisedimet mes palëve përshkruhen si pozitive dhe po shkojnë drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Mendohet se Spurs po i ofron teknikut italian 46-vjeçar një kontratë afatgjatë. De Zerbi është i lirë që prej largimit nga Marseille në muajin shkurt.
Tottenhami ndodhet në një situatë shumë të vështirë në Premier League, në vendin e 17-të dhe vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga kategoria, ndërsa nuk ka arritur asnjë fitore në kampionat gjatë vitit 2026. Ndërkohë, trajneri i përkohshëm Igor Tudor u largua me marrëveshje të përbashkët të dielën, pas vetëm 44 ditësh në krye të skuadrës. Klubi kishte vendosur ta ndante rrugën me të pas humbjes 3-0 ndaj Nottingham Forest, por i kishte dhënë kohë për shkak të ndarjes nga jeta të babait të tij.
Megjithatë, mundësia e emërimit të De Zerbit nuk është pritur mirë nga të gjithë. Disa grupe tifozësh të Tottenhamit kanë shprehur kundërshtimin e tyre për shkak të mbështetjes publike që italiani i ka dhënë Mason Greenwood gjatë kohës së tyre te Marseille. Ndërkohë, edhe emra të tjerë si Sean Dyche, Mauricio Pochettino dhe disa figura të lidhura me Tottenhamin janë përmendur si alternativa, por aktualisht De Zerbi duket kandidati më pranë stolit të Spurs.











