Brighton mori një fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Liverpoolit, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në javën e 31-të të Premier League, në një ndeshje ku protagonist absolut ishte Danny Welbeck me dy gola.
Skuadra vendase kaloi në avantazh në minutën e 14-të, kur Welbeck përfitoi nga një aksion i ndërtuar mirë dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0. Liverpool reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 30-të me Milos Kerkez, i cili riktheu përkohësisht ekuilibrat në takim.
Megjithatë, në pjesën e dytë Brighton u shfaq sërish më kërkues dhe gjeti golin e fitores në minutën e 56-të, kur Welbeck realizoi edhe golin e tij të dytë personal të mbrëmjes, duke vulosur suksesin 2-1 për ekipin vendas.
Ndeshja nisi keq për Liverpoolin edhe për shkak të dëmtimit të Hugo Ekitike, i cili u detyrua të largohej nga fusha që në minutën e 8-të, duke shtuar shqetësimet për ekipin e Arne Slot. “The Reds” provuan të reagojnë deri në fund, por nuk arritën të gjenin golin e barazimit.
Me këtë fitore, Brighton konfirmon formën e mirë dhe merr tre pikë me shumë peshë, ndërsa Liverpool pëson një tjetër goditje në kampionat, në një moment delikat të sezonit.











