Sot në orën 10:00 Kuvendi do të votojë në seancën plenare 2 raportet e maxhorancës dhe opozitës mbi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, duke vulosur fatin e kësaj kërkese që qëndron në Kuvend prej datës 16 dhjetor të vitit të shkuar. PS dhe PD shkojnë të ndara në qëndrime.
Socialistët, këmbëngulin se tashmë pa një funksion ekzekutiv, e shkarkuar edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe nga numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg. Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste do i mjaftojnë 71 vota.
Ndërsa demokratët që dorëzuan të parët raportin e tyre insistojnë se heqja e imunitetit deputetes Balluku për t’i dhënë dritën jeshile arrestimit, është domosdoshmëri, pasi pavarësisht se është zhveshur nga postet ministrore, rrezikon të intimidojë dëshmitarët e të prishë provat.
Raporti i PS do të lexohet nga Ulsi Manja, kurse i PD nga Oerd Bylykbashi pasi Gazment Bardhi është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Nuk dihet nëse vetë Balluku do të shfrytëzojë të drejtën për të mbajtur një fjalë në Kuvend, apo nëse do të jetë e pranishme në seancë paraditen e së enjtes.
Demokratët do të rrethojnë Kuvendin në një protestë që do të nisë njëkohësisht me seancën plenare dhe do të mbyllet me përfundimin e saj, pa skenarë ngujimi, siç burime nga selia blu thonë për Report Tv. Policia e cila ka marrë përsipër edhe zhvillimin e tubimit, ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe ka rrethuar Kuvendin me kangjella.
Përpara seancës plenare, në orën 09:00, PS do të zhvillojë një mbledhje grupi për të vendosur lidhur me fatin e Ballukut.
Veç të tjerash, priten diskutimi për Komisionet Parlamentare. Sipas burimeve, një nga pikat kryesore në rendin e ditës do të jetë emërimi i ish-ministrës së Jashtme, Elisa Spiropali, në Komisionin e Sigurisë, si dhe i ish-ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Rendi i ditës
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.3.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.3.2026.
2. Njoftime.
3. Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
4. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”.
6. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
7. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë











