Policia spanjolle ka arrestuar tetë shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që merrej me kultivimin intensiv dhe shpërndarjen e marijuanës në provincat e Barcelonës dhe Tarragonës.
Operacioni u zhvillua nga Guardia Civil në kuadër të aksionit të koduar “RIBA DFF”. Hetimi u drejtua nga Detashamenti Fiskal dhe Kufitar i Komandës së Tarragonës, me mbështetjen e njësive territoriale të Tarragonës dhe Barcelonës, si dhe forcave speciale.
Kontrollet u kryen në disa prona në qytetet El Vendrell, Cabra del Camp dhe Calafell, si dhe në Olesa de Bonesvalls dhe Palau-solità i Plegamans në Barcelonë. Një arrestim tjetër u krye në Castelldefels.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
3.644 bimë kanabis sativa, me peshë rreth 400 kilogramë;
42 kilogramë lule marijuane të përpunuara;
61.720 euro cash;
dokumente të falsifikuara;
një armë tip airsoft me municion;
pajisje teknike për kultivim dhe përpunim.
Sipas autoriteteve, ambientet ishin përshtatur për kultivim të brendshëm në shkallë të gjerë, me sisteme të avancuara ndriçimi, ventilimi dhe kontrolli mjedisor. Në disa raste ishte manipuluar rrjeti elektrik, duke krijuar rrezik për sigurinë e banorëve dhe duke shkaktuar dëme ekonomike nga vjedhja e energjisë.
Hetuesit dyshojnë se droga kishte si destinacion tregje të tjera evropiane. Një pjesë e sasisë së përpunuar ishte paketuar në vakum, në formë drejtkëndëshe, për t’u fshehur më lehtë në automjete ose ngarkesa.
Të arrestuarit, meshkuj të moshës 30 deri në 63 vjeç, po hetohen për kultivim dhe trafik droge, mashtrim me energjinë elektrike, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe falsifikim dokumentesh.











