Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, ku një 32-vjeçar humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm që agravoi deri në përdorimin e thikave. Viktima është identifikuar si Egli Pashollari.
Sipas burimeve paraprake për mediat, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, ku ai dyshohet se është përfshirë në një konflikt me disa persona të tjerë. Debati ka degraduar, duke çuar në përleshje fizike dhe më pas në përdorimin e mjeteve prerëse.
Si pasojë e plagëve të marra, 32-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës. Nga pamjet e siguruara në vendin e ngjarjes, shihet gjaku i të riut që ka “larë” rrugën dhe në trotuarin përreth.

Egli Pashollari rezulton të ketë qenë një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai raportohet se ka shërbyer më herët në strukturat e Policisë së Burgjeve si gardist. Sipas informacioneve të publikuara më parë, ai dyshohet se ka pasur lidhje me grupin e Emiljano Shullazi.
Vite më parë, emri i tij u përmend në media pasi tentoi t’i fuste pije alkoolike Shullazit dhe personave të tjerë gjatë kohës që ndodheshin në burg. Gjithashtu, në vitin 2017 ai është përballur me akuza për çështje të lidhura me narkotikët.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të përfshirë në konflikt. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet, priten më tepër detaje në vijim.








