Kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministri Ervin Demon në Uashington, ku do të marrë pjesë në takimin e Bordit të Paqes krah presidenti Donald Trump. Ka qenë ministri Demo që ka ndarë një foto me Ramën, krah së cilës shkruan “Krenar për Shqipërinë, Rrugës për në mbledhjen e Bordit të Paqes.”

Instituti amerikan i Paqes në Uashington mirëpret sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump. Pjesë e takimit do të jetë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Rama, dhe Kosova që do të përfaqësohet nga Vjosa Osmani. Në Uashington po mbërrijnë edhe liderët, ndërsa sipas axhendës që Report Tv ka zbardhur, mes 26 folësve është edhe kryeministri Rama. Ky i fundit do të firmosë dhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatë me statusin vend anëtar themelues.
I pari që do të mbajë fjalim është presidenti Trump, Marco Rubio, i cili ndiqet nga Witkoff. Bordi, i krijuar për rindërtimin dhe përpjekjet humanitare në Gaza, do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte. Nuk dihet nëse vendi ynë ka kontribuar me ndonjë shumë dhe as shifra lidhur me vendet e tjera, pasi do të jetë vetë Trump që do t’i shpallë, sipas postimit të tij në Truth Social. Deri më tani, dihet që në këtë fazë, Shqipëria nuk ka detyrime financiare.
Gjithashtu, shtetet anëtare janë angazhuar të dërgojnë trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Trump thotë se Bordi do të kthehet në “organin ndërkombëtar më me ndikim në histori”. “Do t’i kemi të gjithë liderët botërorë,” tha ai.










