Spekulimet e fundit mbi një zëvendësim të mundshëm të Christine Lagarde nga posti i presidentes së Banka Qendrore Europiane, në rast se ajo do të jepte dorëheqjen para përfundimit të mandatit në vitin 2027, kanë rihapur debatin në Paris dhe Bruksel. Në qendër të diskutimit është pyetja nëse e djathta ekstreme franceze, Rassemblement National, do të mund të fitonte ndikim mbi BQE-në nëse arrin pushtetin në zgjedhjet presidenciale të 2027-ës.
Sipas ekonomistëve të intervistuar nga Euronews, një skenar i tillë është i pamundur. Ata theksojnë se rreziku më i madh lidhet me reputacionin e institucionit dhe perceptimin e pavarësisë së tij, jo me kontrollin real politik.
Pas raportimeve për një dorëheqje të mundshme, një zëdhënës i BQE-së deklaroi se nuk është marrë asnjë vendim dhe se Lagarde mbetet e fokusuar në mandatin e saj. Spekulimet janë lidhur me garën presidenciale franceze të vitit 2027, ku presidenti aktual, Emmanuel Macron, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë për shkak të kufizimeve kushtetuese.
Andrew Kenningham, ekonomist kryesor për Europën në Capital Economics, vlerëson se politikanët mund të përpiqen të ndikojnë në procesin e përzgjedhjes së kandidatit, çka mund të dëmtojë imazhin e BQE-së si një nga bankat qendrore më të pavarura në botë. Megjithatë, ai thekson se ndikimi politik nuk përkthehet në kontroll të drejtpërdrejtë mbi institucionin.
Edhe eksperti për çështjet e BQE-së, Frederik Ducrozet, nënvizon se çdo emërim kërkon një shumicë të kualifikuar nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Sipas tij, Franca do të duhej të arrinte një marrëveshje me Gjermaninë dhe shtete të tjera kyçe, duke e bërë të pamundur një emërim ekstrem në krye të bankës.
Ndërkohë, përfaqësues të Rassemblement National e kanë shfrytëzuar debatin për të sulmuar Macronin, duke paralajmëruar se çdo manovrim politik në emërime do të minonte besimin publik dhe stabilitetin e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar.
Debati është intensifikuar edhe pas dorëheqjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Francës, François Villeroy de Galhau, zhvillim që ka shtuar ndjeshmërinë politike rreth çështjes së pavarësisë së institucioneve financiare europiane.








