Astronomët kanë regjistruar valën më të fuqishme gravitacionale të zbuluar ndonjëherë, të quajtur GW250114, e krijuar nga përplasja e dy vrimave të zeza në një distancë prej më shumë se një miliard vite dritë nga Toka. Zbulimi u bë në janar 2025 nga detektorët LIGO në Shtetet e Bashkuara dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në studimin e universit.
Ky sinjal konfirmon me një siguri prej 99.999% parashikimin e bërë nga Stephen Hawking në vitin 1971, sipas të cilit sipërfaqja totale e horizonteve të ngjarjeve të vrimave të zeza duhet të rritet pas bashkimit të tyre. Studimi është publikuar në revistën prestigjioze Physical Review Letters dhe është pjesë e analizës së gjerë të bashkëpunimit shkencor LIGO–Virgo–KAGRA.
Valët gravitacionale janë valëzime në strukturën e hapësirë-kohës që krijohen nga ngjarje ekstreme kozmike, si përplasjet e objekteve shumë masive. Sinjali GW250114 rezultoi dy herë më i fortë se çdo valë e regjistruar më parë, duke u mundësuar shkencëtarëve të llogarisin me saktësi masat dhe rrotullimet e vrimave të zeza para dhe pas bashkimit.
Pas përplasjes, sipërfaqja e horizonteve të ngjarjeve u rrit nga rreth 240 mijë në 400 mijë kilometra katrorë, duke treguar se shkelja e këtij rregulli themelor është jashtëzakonisht e pamundur.
Sinjali përmbante dy faza të dallueshme: fazën “spirale”, ku dy vrimat e zeza rrotullohen rreth njëra-tjetrës, dhe fazën “ringdown”, gjatë së cilës vrima e re e formuar stabilizohet.
Gjatë fazës përfundimtare, shkencëtarët identifikuan qartë dy frekuenca të ndryshme, duke përforcuar edhe një herë teoritë e Albert Ajnshtajnit mbi relativitetin e përgjithshëm.
Zbulimi ka rëndësi të veçantë edhe për teorinë fizike, pasi Stephen Hawking dhe Jacob Bekenstein kishin lidhur sipërfaqen e vrimave të zeza me entropinë e tyre. Sipas kësaj ideje, rritja e sipërfaqes duhet të respektojë ligjin e dytë të termodinamikës, një nga parimet themelore të natyrës.
Me detektorët aktualë që regjistrojnë bashkime vrimash të zeza çdo disa ditë dhe me projekte të ardhshme si Teleskopi Ajnshtajn dhe Cosmic Explorer, pritet që ndjeshmëria e vëzhgimeve të rritet ndjeshëm. Kjo do t’u japë shkencëtarëve mundësi të reja për të testuar më thellë natyrën e gravitetit dhe ligjeve që Krijuesi ka vendosur në univers.










