Bashkimi Europian (BE) ka akuzuar TikTok për nxitjen e varësisë së përdoruesve, veçanërisht fëmijëve, përmes opsioneve të sajuara si “scroll pafund”. Komisioni i BE-së ka bërë të ditur se hetimet e tyre tregojnë se TikTok nuk merr parasysh ndikimin e funksioneve që nxisin varësinë mbi shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve. Në këtë kuadër, ata kërkojnë që platforma të reformojë dizajnin e saj, duke përfshirë heqjen e opsionit të scroll-it të pafund, implementimin e pushimeve të efektshme në ekran dhe adaptimin e sistemit të rekomandimeve për një personalizim më të kontrolluar.
Komisioni kritikoi gjithashtu opsionin e aktivizimit automatik të videove, duke theksuar se TikTok injoron sinjalet që tregojnë për përdorimin e tepruar, si orët e natës që fëmijët kalojnë në platformë. Henna Virkkunen, komisarja e BE-së për Digjitalizimin, theksoi nevojën për përmirësimin e shërbimeve në Europë për mbrojtjen e minorenëve.
Sipas BE-së, TikTok ofron “shpërblime” në formën e përmbajtjeve të reja, që inkurajon përdoruesit, përfshirë të rinjtë, të përdorin aplikacionin në mënyrë kompulsive. Kjo sjellje ndikon negativisht në vetëkontrollin e përdoruesve, duke çuar në një lloj “autopilot” në përdorimin e platformës.
Brukseli nisi hetimin ndaj TikTok në shkurt 2024, duke u fokusuar në zbatimin e ligjit të ri për shërbimet digjitale (Digital Services Act – DSA). Kjo legjislaturë synon të jetë një instrument për transparencën dhe për të luftuar përmbajtjen antiligjore në internet.
Ndërkohë, TikTok ka hedhur poshtë akuzat e Komisionit të BE-së, duke i cilësuar ato si të pabaza. Ata kanë deklaruar se do të mbrohen përmes të gjitha mundësive ligjore. Nëse akuzat konfirmohen, kompanisë mund t’i shqiptohet një gjobë që arrin deri në 6% të xhiros vjetore globale. Këto tensione midis BE-së dhe TikTok reflektojnë sfidat në rritje që platformat e mediave sociale përballen për sa i përket sigurisë dhe shëndetit të përdoruesve të rinj.









