Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo ka marrë një kthesë të re pasi autoritetet greke po hetojnë përfshirjen e Xhuliano Halilit, një 44-vjeçar nga Tepelena, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm. Halili ndodhej në të njëjtin sektor me Aliajn dhe është i plagosur si rezultat i ngjarjes, duke ngritur dyshime se ai ka qenë i involvuar direkt në vrasje.
Fillimisht, një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, mori përgjegjësinë për krimin, duke u dorëzuar në polici dhe pretenduar se ishte autori. Sidoqoftë, hetimet kanë vënë re se trupin e tij nuk kishte shenja përleshjeje, ndërsa Halili ishte i jedhur fizikisht. Kjo ka nxjerrë në pah dyshime se Vardhuniotis mund të jetë paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër krimin, një informacion që e ka shtyrë policinë të rishikojë versionin fillestar të ngjarjes.
Po ashtu, Aliaj ishte përmendur në të kaluarën në dosje hetimore lidhur me përfshirjen e tij në aktivitetet e “Mafies greke”, edhe pse këto akuzat kurrë nuk u provuan. Ndërkohë, Xhuliano Halili, i njohur me nofkën “Niko”, konsiderohet një figurë e rrezikshme në krimin e organizuar grek. Ai ka një histori të gjatë kriminale, duke përfshirë vrasje të porositura. Në vitin 2011, ai akuzohet për vrasjen e Fillim Mesajan dhe djalit të tij të mitur, një krim i porositur nga Vasilis Varelas.
Në vitin 2018, Halili u arratis gjatë transferimit në burg, por u kap shpejt. Po ashtu, në qershor të vitit 2024, ai vrau një tjetër të burgosur, Alfons Ndocin, brenda të njëjtit burg, një ngjarje që u dyshua se ishte e porositur nga jashtë.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes së Jani Aliajt dhe për të përcaktuar se kush është autor i vërtetë i krimit. Kjo ngjarje ka sjellë në pah tensionet dhe rrezikshmërinë që ekziston brenda sistemit të burgjeve në Greqi.











