Pas bllokimit të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në Han të Hotit për shkak të protestës së kamionistëve në Malin e Zi, sot rreth mesditës, 370 automjete të rënda do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet kanë njoftuar se për shkak të një proteste të paralajmëruar nga një shoqatë e transportit të mallrave në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të ketë ndërprerje të përkohshme të lëvizjes së mjeteve që transportojnë mallra në hyrje dhe dalje të këtij shteti.
Sipas njoftimit zyrtar, duke filluar nga ora 00:01 e datës 26 janar 2026, do të ndalohet hyrja e mjeteve transportuese të mallrave në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nga ora 12:00 e së njëjtës datë do të ndalohet edhe dalja e tyre nga territori i saj.
Nga ky kufizim do të përjashtohen mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë medikamente mjekësore dhe bagëti, të cilat do të lejohen të qarkullojnë normalisht.
Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor. Plani është që bllokadat të zgjasin shtatë ditë, por protestuesit janë të gatshëm t’i ndërpresin ato nëse BE-ja nis negociata për zgjidhjen e problemit.
“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.
Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve.?Nga Qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.
Përveç transportuesve nga Maqedonia e Veriut, kamionët në pikat kufitare do t’i parkojnë edhe transportues nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Nuk do të ketë pengesa për hyrje-daljen e autobusëve të udhëtarëve dhe automjeteve personale.










