PSG, pasi ka mbyllur rinovimet e Fabián Ruiz dhe William Pacho, tani përballet me një nga zgjatjet më të rëndësishme të projektit të Luis Enrique: atë të Ousmane Dembélé. Klubi parizien ka nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e lojtarit, me synimin ta mbajë si figurën kryesore të skuadrës, por negociatat mund të komplikohen nga kërkesat për pagë.
Bisedimet janë ende në fazë të hershme dhe të dyja palët, PSG dhe Dembélé, duken të prirura të arrijnë marrëveshje. Në Francë kanë qarkulluar raportime se fituesi i Topit të Artë kërkon një rritje të madhe page (madje është përmendur shifra 60 milionë euro), megjithëse as klubi dhe as lojtari nuk i kanë konfirmuar këto pretendime. Gjithsesi, rinovimi nuk pritet të zgjidhet shpejt dhe nuk parashikohet njoftim para fundit të sezonit.
PSG synon të përdorë formulën që i ka funksionuar së fundmi: jo “çek i bardhë” për rritje fikse, por kontratë e re me variabla financiare. Pra, një pagë bazë që rritet në varësi të performancës dhe numrit të ndeshjeve të luajtura çdo sezon.
Kjo pritet të jetë pika kryesore e debatit. Sipas L’Équipe, përfaqësuesit e Dembélés kanë kërkuar prej muajsh një rritje të ndjeshme pas fitimit të Topit të Artë, por PSG – si drejtori sportiv Luis Campos ashtu edhe Katari – nuk kanë pranuar kërkesën fillestare. Negociatat mund të “ngërçen” nëse palët nuk lëshojnë pe.
Mesazhi i qartë i presidentit
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaïfi, i pyetur për rinovimin në Canal+, dha një sinjal të prerë se klubi nuk do të bëjë “çmenduri”:
“Kemi një tavan page, të gjithë e dinë,” tha ai, duke lënë të kuptohet se PSG nuk do të pranojë kërkesa që tejkalojnë limitet e vendosura.
Ai shtoi gjithashtu se “Dembélé është legjendë e klubit”, por nënvizoi se “skuadra dhe klubi janë më të rëndësishëm se gjithçka”, duke bërë të qartë se askush – as fituesi aktual i Topit të Artë – nuk mund të vihet mbi institucionin.
Dembélé është ylli më i madh i PSG-së dhe ka shpërthyer sezonin e kaluar, duke regjistruar 51 kontribute në gola (35 gola dhe 16 asiste), teksa parizienët fituan 6 nga 7 trofetë (duke humbur vetëm finalen e Botërorit të Klubeve ndaj Chelseat). Lojtari ndihet i lumtur në Paris dhe ka lënë pas dëmtimet e shpeshta që e shqetësonin te Barcelona. Në Katar, rinovimi i tij konsiderohet prioritet, por PSG synon ta bëjë këtë pa prishur strukturën e pagave dhe pa ofruar privilegje të tepruara, pavarësisht rëndësisë së tij për kampionët aktualë të Champions League.











