Dy muajt e fundit janë kthyer në makth për bizneset dhe qytetarët të cilët duan të marrin shërbime nëpërmbjet platformave online të paguara dhjetra miliona euro!
E-Albania, sistemi përmes të cilit funksionojnë shumë shërbime dhe për të cilin është investuar aq shumë, nuk funksionon.
“E-albania hapet deri në një farë pike dhe pastaj rrotullohet”, thotë një ekonomist i acaruar nga ky problem që tashmë po zgjat prej javësh. Ai ka dërguar dhe fotot, teksa përpiqet që të hyjë në sistemin self-care, përmes të cilit bizneset mund të shohin të gjitha faturat e blerjes që vijnë nga furnitorët, apo të bëjnë shërbime të tilla si fiskalizimi i importeve, Bizneset e vogla pa të punësuar mund ta përdorin për të fiskalizuar faturat e shitjes pa blerë program.
“Plus që çdo fund muaji verifikojmë blerje shitje, importe etj të programit që ne punojmë me selfcare (Sepse selfcare bën kalimin automatk të librave në e-tax).
Dhe nëse sefcare ka probleme (si sot) programi që kemi për fiskalizim faturash nuk bën fiskalizim”, thotë drejtuesja e një zyre kontabiliteti e konsulencë për biznesin.
Ekonomistë janë bërë si “gjurmues” të sistemit, duke e ndjekur minut pas minuti nëse punon apo jo, por kjo po përkthehet në kohë të humbur për ta, që askush nuk ua justifikon.
Probleme dhe për individët
Një tjetër burim i tha Monitor se edhe te kolaudimi i makinave ka rënë sistemi.
Edhe nëse do të shkarkosh një certifikatë personale është e pamundur, sipas një prove të Monitor. Ndonëse mund të hyhet në llogarinë e individit, kur i jep opsionin përdor, dokumenti nuk shkarkohet. Ndërkohë në faqe prej të paktën një muaj del njoftimi që Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të realizojë operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik të saj. “Ju informojmë se gjatë këtyre proçeseve mund të ketë ndërprerje të përkohshme apo ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”.
Lehtësim apo makth
“E-albania është portali qeveritar ku shërbimet publike që gjenden në zyrat dhe sportelet fizike të institucioneve ofrohen në mënyrë elektronike falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit që ndërlidh sistemet e institucioneve me njeri-tjetrin. Portali është konceptuar si një zyrë elektronike me një ndalesë ku qytetari regjistrohet duke përdorur kartën e tij të identitetit dhe shërbehet duke kërkuar dhe aplikuar për shërbimin që i nevojitet”, thuhet në faqen e e-albania.
Por, realiteti po tregon se këto shërbime, në vend të lehtësojnë bizneset dhe qytetarët po kthehen në një makth për ta./ Monitor













