Për shumë të rinj nga komuniteti rom dhe egjiptian, ndjekja e arsimit të lartë mbetet një sfidë e mbushur me pengesa sociale, ekonomike dhe kulturore.
Por për Stesi Dacën, arsimi nuk ka qenë thjesht një zgjedhje akademike, por një rrugë e vetëdijshme për të ndërtuar të ardhmen dhe për të kontribuuar në mirëqenien e njerëzve.
Student në vitin e tretë në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, në degën Punë Sociale, Stesi ka përfunduar vitin akademik me një mesatare mbresëlënëse prej 9.6. Megjithatë, për të, suksesi nuk matet vetëm me nota apo diploma.
Zgjedhja për të studiuar Punë Sociale ka qenë një vendim i thellë dhe i menduar. Stesi shprehet se, pavarësisht se mesatarja e tij i jepte mundësinë të zgjidhte degë me më shumë perspektivë punësimi, ai nuk kërkonte thjesht një punë.
Ai donte të ndikonte, të prekte jetën e njerëzve dhe të kontribuonte në mirëqenien e tyre. Për të, puna sociale është një profesion, por edhe një formë shërbimi komunitar, brenda dhe përtej komunitetit nga vjen.
“Puna sociale për mua nuk është thjesht një zgjedhje, ishte një përvetësim i asaj, çka unë vërtet doja të bëja. Pavarësisht mesatares sime të lartë, mund të kisha zgjedhur degë me një kapital më të gjerë punësimi, por unë nuk doja thjesht një punë. Unë doja të prekja, të ndryshoja, të ndikoj, sado pak, mirëqenien e njerëzve. Puna sociale për mua është profesion, por edhe një mundësi shërbimi komunitar dhe përtej tij”, thotë Stesi.
Rruga drejt universitetit dhe sfidat e para
Përshtatja me jetën akademike nuk ka qenë e vështirë për Stesin, veçanërisht falë mbështetjes së stafit pedagogjik, i cili e ka trajtuar me dinjitet dhe profesionalizëm, duke e ndihmuar të shpalosë potencialin e tij si student.
Megjithatë, hyrja në universitet dhe largimi nga vendlindja nuk kanë qenë aspak të lehta.
“Do të thoja: jo, sepse kam pasur mbështetje dhe mund të them edhe favor nga stafi pedagogjik i universitetit. Ata më kanë trajtuar në një mënyrë vërtet dinjitoze, duke më ndihmuar realisht të shpalos gjithë potencialin tim si student”, thotë ai.
Ai rrëfen se është rritur në një komunitet ku shkollimi shpesh shihej jo si shpëtim, por si pengesë. Në shumë raste, pritshmëria për një djalë të ri që sapo përfundon gjimnazin është martesa e hershme dhe jo vazhdimi i studimeve.
Stesi e refuzoi këtë rrugë, sepse e dinte se donte të ndryshonte të ardhmen e tij. Ai kuptoi se për të arritur sukses, një individ nga komuniteti rom dhe egjiptian duhet fillimisht të thyejë barrierat brenda komunitetit dhe më pas ato jashtë tij.
“Kurse hyrja në universitet dhe largimi nga vendi im i lindjes nuk ka qenë e lehtë. Kam jetuar në një komunitet që e shikonte shkollimin jo si faktor shpëtues, por si faktor pengues. Për një djalë që sapo kishte mbaruar gjimnazin, familja i thotë: “Mjaft tani, shko martohu.” Absolutisht që unë nuk pranova, sepse doja të ndryshoja të ardhmen time”.
Kuptova që një individ nga komuniteti rom dhe egjiptian, për të arritur suksesin, duhet patjetër të thyejë barrierat brenda komunitetit dhe më pas ato jashtë tij. Një ndër këto barriera ishte martesa e hershme”, thotë Stesi.
Duke folur për paragjykimet, Stesi zgjedh një këndvështrim ndryshe. Ai pranon se është ndjerë i fyer për shkak të ngjyrës së lëkurës, por thekson se problemi më i madh sot nuk është vetëm diskriminimi nga jashtë, por vetë-diskriminimi brenda komunitetit.
“Në fakt, nuk dua të përsëritem me shumë retorika të tilla që shprehin se komuniteti rom dhe egjiptian diskriminohet. Po, është e vërtetë, jam ndjerë i fyer për shkak të ngjyrës sime. Por unë dua të ndalem në një fenomen tjetër. Problemi sot nuk është diskriminimi dhe paragjykimi nga jashtë, por vetë-diskriminimi që pëson vetë komuniteti. Tashmë ata janë mësuar të viktimizohen dhe e shohin këtë si një mënyrë shpëtimi”, thotë ai.
Sipas tij, viktimizimi i vazhdueshëm dëmton vetëvlerësimin personal dhe pengon përparimin. Ai beson se në momentin që individi ndërton një vetëvlerësim të fortë, asnjë paragjykim nuk mund ta fyejë apo ta ndalë.
Diskriminimi, sipas Stesit, duhet parandaluar përmes fuqizimit dhe edukimit, jo thjesht trajtuar si pasojë.
“Aq më tepër që ky komunitet ka nevojë të krijojë një rritje të vetëvlerësimit personal, sepse nëse arrin këtë gjë, asnjë paragjykim nuk mund të të fyejë dot. Sepse unë pikërisht këtë arrita! Kanë nevojë për një proces kapërcimi, sepse diskriminimi është si një sëmundje që ka nevojë për parandalim dhe jo për kurim”, tregon Stesi.
Edhe pse ka hasur paragjykime të drejtpërdrejta nga bashkëmoshatarë apo njerëz të tjerë, ai ka mësuar ta shndërrojë dhimbjen në forcë, duke e vendosur gjithmonë qëllimin e tij më lart se fjalët e të tjerëve.
“Kemi nevojë që komuniteti rom dhe egjiptian të krijojë një vetëvlerësim të lartë për veten. Që edhe ata vlejnë, që edhe ata munden, që edhe ata mund të shkollohen. Por patjetër që kam hasur paragjykim në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bashkëmoshatarët e mi ose edhe nga njerëz të tjerë. Kam mësuar që dhimbjen që ata më jepnin ta ktheja në forcë, sepse për mua qëllimi ishte akoma më i lartë sesa fjalët e tyre”, thotë ai.
Universiteti si hapësirë rritjeje dhe pranimi
Për Stesin, përvoja universitare është ndër më të bukurat e jetës së tij. Universiteti “Aleksandër Xhuvani” ka qenë vendi ku ai ka ndjerë për herë të parë se vlerësohet, se ka rëndësi dhe se ëndrra e tij ka nisur të marrë formë.
Ai thekson se stafi akademik dhe studentët e kanë bërë të ndihet i pranuar dhe i integruar, duke i dhënë jo vetëm njohuri profesionale, por edhe ndjesinë e përkatësisë.
“Përvoja në universitet është eksperienca më e bukur e jetës sime. Ky universitet më ka bërë të rrit shumë aftësitë, shprehitë dhe vlerat e mia. Stafi dhe gjithë studentët vërtet më kanë bërë të ndihem i vlerësuar dhe të përjetoj atë ndjesi që dikur nuk e kisha: që unë vlej.
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” është një ogur i rëndësishëm në jetën time, sepse aty ka nisur vërtet ëndrra ime”, tregon i riu.
Pedagogët, sipas tij, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në formimin profesional, por edhe në atë njerëzor. Ata e kanë mësuar fillimisht të jetë njeri dhe më pas profesionist, duke i ofruar vlerësim, përkushtim dhe mbështetje reale.
Edhe shoqëria universitare ka qenë një shtyllë e rëndësishme, duke e bërë të ndihet i rëndësishëm dhe i respektuar për atë që është.
“Pedagogët e mi kanë pasur një ndikim jo vetëm profesional, por dua të ndalem edhe te njerëzoria e tyre. Ata më kanë mësuar sesi të jem njeri në radhë të parë dhe pastaj profesionist. Kam marrë vlerësimin e duhur, përkushtimin dhe mundësitë nga ajo që ata vërtet janë dhe përfaqësojnë: një staf i përgatitur që ofron cilësi në çdo drejtim.
Kurse kursi ku unë jam ka qenë mbështetës dhe suportues. Ata më kanë bërë të ndihem vërtet i rëndësishëm. Nuk ka rëndësi rrugët ku endesh, e rëndësishme është me kë bashkëudhëtarë po shtigjeton për të arritur suksesin. Dhe jam i lumtur që rrethohem me njerëz që më duan për këtë që unë jam”, tregon Stesi.
Mesazhi për të rinjtë dhe vizioni për të ardhmen
Mesazhi i Stesit për të rinjtë nga komuniteti rom është i qartë: të guxojnë të kapërcejnë kufijtë që u janë vendosur. Ai e pranon se arsimi shpesh shihet si i largët dhe i pamundur për shkak të vështirësive ekonomike dhe mentalitetit, por thekson se edukimi mbetet çelësi për thyerjen e këtij rrethi.
Sipas tij, komuniteti rom dhe egjiptian ka nevojë të rrisë vetëvlerësimin personal dhe ndërpersonal, sepse vetëm kështu mund të ndërtohet një e ardhme ndryshe. Ai i fton të rinjtë të ëndërrojnë, sepse ëndrrat janë gjallëria dhe shpresa e këtij komuniteti.
“Do t’u thoja vetëm të kapërcejnë. Të shkojnë përtej horizontit të tyre. E di që nuk është e thjeshtë, sepse mentaliteti dhe mënyra se si konceptojmë gjatë rritjes sonë krijojnë disfunksionim për sistemin arsimor.
Arsimi u duket i largët, i duket bosh, i duket si diçka e pamundur për shkak të vështirësive ekonomike. Përveç bursave që universitetet ofrojnë për kategorinë rome dhe egjiptiane, për ta kjo shpesh duket e pamjaftueshme. Por duhet të guxojnë!
Edukimi është çelësi për thyerjen e mentalitetit tonë në komunitet, sepse ky komunitet ka nevojë të rrisë vetëvlerësimin personal dhe ndërpersonal.
Dhe gjëja e fundit që dua të them është vetëm kjo: të ëndërrojnë për jetën. Ëndrrat janë ngjyrat më të bukura për t’i kthyer këtij komuniteti gjallërinë dhe jetën për çdo anëtar”, thotë Stesi.
Sa i përket së ardhmes, Stesi e sheh veten përkrah njerëzve, si bashkëudhëtar në betejat e tyre. Fokusin e tij kryesor e kanë fëmijët, sepse beson se fëmijëria është themeli i karakterit.
Ai dëshiron t’i ndihmojë fëmijët të njohin veten, të besojnë te jeta dhe te ëndrrat e tyre, duke u bërë versioni më i mirë i vetvetes.
“Absolutisht, të jem përkrah njerëzve. Të jem bashkëvuajtës dhe bashkëfitues në betejat e tyre. Ëndrra ime është të krijoj mundësi për njerëzit që duan të kapërcejnë vështirësitë në jetën e tyre, aq më tepër për fëmijët.
Fokusi im janë fëmijët, sepse fëmijëria është themeli i karakterit. Dua të jem afër fëmijëve dhe t’i ndihmoj ata të gjejnë veten, të duan jetën, të njohin ëndrrat e tyre të fshehura dhe të besojnë se një ditë mund të jenë versioni më i mirë i vetvetes.
Jam krenar që jam anëtar i komunitetit rom dhe egjiptian. Jam krenar që jam punonjës social. Dua vërtet të kontribuoj, sado pak, në jetën e njerëzve dhe të lë gjurmë pozitive tek ata. Të paktën ky dua të jetë misioni im”, përfundon Stesi.
Me krenari, Stesi shprehet se është anëtar i komunitetit rom dhe egjiptian dhe se misioni i tij si punonjës social është të kontribuojë, sado pak, në jetën e njerëzve dhe të lërë gjurmë pozitive tek ata.










