Nga Steve Remesch, LUXEMBURGER WORT
Në Luksemburg, Aldo Iamandi (Gjini) u bë i njohur pas të shtënave me armë zjarri më 24 nëntor 2020 në Remich.
Vendi e futi atë në listën e kriminelëve më të kërkuar të Evropës. Përfundimisht, hetuesit luksemburgas e lokalizuan dhe e arrestuan në Bruksel.
Në procesin gjyqësor që pasoi, në fund të vitit 2023, prokuroria kërkoi një dënim me 12 vjet burg për tentativë vrasjeje. Megjithatë, Dhoma e 12-të Penale e dënoi vetëm me 30 muaj burg, për posedim të paligjshëm armësh dhe plagosje.
Ai nuk bëri ankim, ndaj vendimi është i formës së prerë. Në Shqipëri, megjithatë, e pret një dënim shumë më i rëndë.
Edhe disa muaj pas ngjarjes, në Remich janë ende të dukshme gjurmët e tentativës së dyshuar për vrasje. Aldo Iamandi ishte ndier i provokuar sepse një i panjohur i ishte afruar shoqërueses së tij femër dhe kishte hapur zjarr.
Tani ai ndodhet në qendër të një çështjeje kriminale që prej javës së kaluar ka shkaktuar bujë të madhe. Rasti konfirmon atë që në procesin gjyqësor në Luksemburg mbeti e pathënë, por e nënkuptuar: Aldo I. konsiderohet figurë kyçe e dyshuar e krimit të organizuar shqiptar. Zbulime të reja nga Shqipëria hedhin gjithashtu dritë tjetër mbi ngjarjet në Remich.
Dhunë për një arsye të parëndësishme
Mbrëmjen e 24 nëntorit 2020, Aldo ndodhej në një bar shisha në Remich. Rreth orës 22:30 shpërthen një konflikt me një bashkëkombës, i cili dëshiron t’i ftojë për një gotë tre shoqërueset e Aldos dhe e prek njërën prej tyre në krah. Rrjedha e saktë e ngjarjes mbetet e paqartë. Sipas gjithçkaje, kundërshtari tenton ta sulmojë Aldon bashkë me disa shokë të tij, të cilët thuhet se ishin të armatosur me shkopinj.
Aldo shkon te makina e tij, merr një armë zjarri, e ndjek personin dhe e qëllon katër herë me një pistoletë të kalibrit të madh. Një plumb i tipit .45 ACP i përshkon këmbën e majtë viktimës, një tjetër ngec në shollën e këpucës së tij. Vrimat e plumbave në muret e shtëpive pranë urës Europabrücke në Remich janë ende të dukshme sot. Gjyqtarët nuk konstatuan një qëllim të qartë për vrasje – edhe sepse Aldo I. ndaloi pas katër të shtënave, megjithëse kishte mundësi të vazhdonte të qëllonte viktimën nga pas.
Tetë muaj më vonë, në korrik 2021, Aldo përfshihet në një tjetër incident me armë zjarri në Tiranë. Deri atëherë, ai kishte arritur t’i shmangej plotësisht ndjekjes penale nga Luksemburgu. Tashmë, edhe autoritetet shqiptare e shpallin në kërkim. Fakt i ndjeshëm: viktima e sulmit në Tiranë thuhet se ishte shoku më i ngushtë i pronarit të lokalit në Remich.
Dëshmitarët tregojnë se Aldo ishte dukshëm nervoz mbrëmjen e incidentit në Remich. Ai shikonte vazhdimisht drejt derës së hyrjes dhe mbante nën vëzhgim dritaret e lokalit. Mediat shqiptare sugjerojnë një arsye të mundshme për këtë tension: grupi kriminal, pjesë e të cilit ishte ai, kishte humbur një ditë më parë një ngarkesë prej 475 kilogramësh kokainë.
Mëngjesin para të shtënave në Remich, dogana holandeze njoftoi zbulimin e 475 kilogramëve kokainë në portin e Vlissingenit. Droga ishte fshehur në një kontejner me banane nga Ekuadori dhe u zbulua më 23 nëntor 2020 gjatë një kontrolli të rastësishëm. Vlera e saj në treg vlerësohej rreth 23 milionë euro.
Zbulime të reja nga deshifrimi i rrjetit të komunikimit të koduar SkyECC e rëndojnë ndjeshëm grupin. Shërbimi u hakua në vitin 2021 në kuadër të një bashkëpunimi ndërkombëtar policor. Hetues nga Belgjika, Franca dhe Holanda, me mbështetjen e Europol-it, patën qasje në komunikimet e përdoruesve dhe kjo çoi në bastisje dhe arrestime masive.
Sipas hetimeve, grupi kriminal – ku bënte pjesë edhe Aldo – qëndron pas kontrabandës së drogës drejt Vlissingenit. Është e sigurt se ai ndodhej në Luksemburg që prej të paktën 21 nëntorit 2020. Sipas deklarimeve të tij, ai ishte në kërkim të një lokali për të hapur një restorant.
Të dhënat e SkyECC përbëjnë bazën edhe për hetimet e reja në Shqipëri. Në biseda, drejtuesit e bandës shkëmbenin foto të ngarkesave të drogës dhe artikuj mediatikë për kapjen e drogës në portin holandez.
Më 10 dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme shqiptare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndërhyri. Nga 14 urdhër-arreste, u ekzekutuan 10, kryesisht në zonën e Fushë-Krujës. U sekuestruan shuma të mëdha parash, mallra luksi, automjete dhe armë.
Djali i deputetit si bos mafioz
Veçanërisht tronditëse: si udhëheqës i klanit mafioz shqiptar akuzohet Rexhep R., djali i një ish-deputeti. Edhe babai i tij, Rrahman Raja, u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 2023 pas një akti të dhunshëm të lidhur me krimin e organizuar.
Çështja përbëhet nga tre komplekse hetimore. Grupi dyshohet se ka kontrabanduar të paktën 2,4 tonë kokainë dhe marihuanë drejt vendeve të BE-së. Në qendër të raportimeve shqiptare qëndron veçanërisht një transport droge i dështuar më 26 janar 2021.
Në kufirin mes Shqipërisë dhe Turqisë, atë ditë u sekuestruan 236 kilogramë marihuanë në një kamion. Droga ishte fshehur në tavanin e mjetit dhe nuk u zbulua në kontrollin e parë me skaner. Vetëm gjatë një kontrolli të dytë nga policia turke u zbulua ngarkesa.
Protokollet e SkyECC, të publikuara pjesërisht në mediat shqiptare, tregojnë panikun brenda udhëheqjes së klanit pasi humbet kontakti me shoferin. Grupi vëzhgon kamionin në territorin e policisë turke dhe spekulon për tradhti të mundshme.
Pas kësaj shpërthen një krizë e brendshme për dëmshpërblimin e humbjes. Në fund, personi përgjegjës për organizimin e transportit detyrohet t’i kompensojë drejtuesit e tjerë brenda një dite – me çmimin final të shitjes.
Fyerja “bir k…” është e përhapur në biseda. Trafiku i drogës ndjek një skemë strikte, dhe konfliktet e brendshme i lejojnë SPAK-ut të rindërtojë me detaje strukturën e organizatës.
Aldo dhe frika nga gjurmët e gishtërinjve
Aldo shfaq shqetësim të madh se gjurmët e gishtërinjve të tij mund të gjendeshin mbi drogë. Sipas bisedave të cituara nga SPAK, ai kishte shënuar personalisht paketat për marrësit në Turqi. Në grup ekzistonte frika se bashkëpunëtorët nuk i kishin pastruar siç duhet. Më pas vjen qetësimi: paketat ishin spërkatur me spraj.
Me nofkën “Bjondi”, Aldo konsiderohet bashkëpunëtor i ngushtë i kreut të dyshuar të bandës. Hetuesit shqiptarë lidhin nëntë persona me llogari konkrete SkyECC. Emrat e të dyshuarve janë publikuar gjerësisht në media. SPAK flet për prova dërrmuese, por vlen parimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar.
Më 3 dhjetor, një javë para valës së arrestimeve, u arrestua Besard P., i dyshuar si bashkëpunëtor i Aldo I. në të shtënat në Tiranë. Ai hetohet për tentativë vrasjeje. Aldo I. ndodhet tashmë në paraburgim për të njëjtin rast. 35-vjeçari u informua për akuzat e reja ndërsa ndodhej në qelinë e tij.






