Gjatë 11 muajve të këtij viti, më shumë se 13,000 shoferëve në Kosovë u është konfiskuar patenta e vozitjes për shkak të shkeljeve të rregullave të trafikut, sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës.
Këto shifra tregojnë një rritje të ndjeshme të masave ndëshkuese krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 55,809 tiketa për kundërvajtje në komunikacion, ndërsa një vit më parë numri ishte 50,887.
Eksperti i komunikacionit, Faton Bunjaku, vlerësoi se statistikat pasqyrojnë mungesë edukate dhe kulture në trafik tek një pjesë e shoferëve. Ai theksoi se, përveç ndëshkimeve, është e domosdoshme përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe i sinjalizimit për të garantuar siguri më të madhe.
Sipas Bunjakut, konfiskimi i patentave është një masë e diskutueshme dhe duhet të shoqërohet me politika parandaluese, si edukimi i vazhdueshëm i vozitësve dhe përmirësimi i kushteve të rrugëve.
Ndërkohë, eksperti tjetër i fushës, Bekim Ahmeti, e vlerësoi pozitivisht numrin e lartë të konfiskimeve, duke theksuar se ato mund të ndikojnë në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e rregullave të komunikacionit.
Ai shprehu shqetësimin se shumë shoferë vazhdojnë të tregojnë papërgjegjësi në rrugë dhe theksoi nevojën për ndërgjegjësim më të madh mbi pasojat e shkeljeve.
Sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut, konfiskimi i patentës aplikohet për shkelje të rënda si tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore dhe kalimi në semaforin e kuq.
Ekspertët apeluan gjithashtu që institucionet përgjegjëse të fokusohen në mirëmbajtjen e rrugëve, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit, kur kushtet e motit rrisin rrezikun për aksidente në trafik.










