Një ditë përkujtimore u mbajt sot në Komunën e Çairit për të nderuar jetën dhe veprën e artistit të njohur, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë. Të pranishëm ishin familjarë, miq dhe kolegë të shumtë të cilët shprehën respekt dhe dashuri për figurën e këngëtarit.
Momenti më emocionues ishte fjalimi i nënës së Shpatit, e cila, me lot në sy, ndau ndjenjat e saj të thella për humbjen e djalit. Ajo theksoi përvojën e saj si mësuese, por e përshkroi dhimbjen e saj si diçka që e kishte lënë pa fjalë. “Sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë dhe e ndjejnë të gjitha nënat që kanë humbur një fëmijë. Jam krenare që kam lindur një djalë që ju të gjithë e keni dashur,” tha ajo.
Pas saj, fjalën e mori bashkëshortja e tij, Selvije Jao, e cila e përshkroi Shpatin si një njeri që e kishte mbështetur dhe dashur pa kushte. Ajo foli me dhimbje për djalin e tyre, Roelin, vetëm 3 vjeç e gjysmë, i cili ende nuk e ka kuptuar humbjen e të atit. “Nuk e di si do të rritet me këtë humbje, por e di që ai do të jetë shumë krenar me babain e tij,” tha Selvija, duke shprehur emocionet për dhuratat që Shpati kishte bërë për familjen e tij.
Shpat Kasapi u nda nga jeta papritur, duke lënë një boshllëk të thellë si te artdashësit ashtu dhe te familja e tij. I ndjeri u varros të dielën në qytetin e tij të lindjes, Tetovë, ku ai kishte një mbështetje të madhe nga e gjithë bashkësia. Dita e sotme shërbeu si një kujtesë për vitet e tij të artit dhe kontributin që ai la pas, ndërsa ngushëllime i janë shprehur të afërmve dhe miqve të tij që ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe.











