Kandidatë për deputetë, ish-deputetë dhe anëtarë të strukturave të Partisë Demokratike u mblodhën këtë të enjte për rreth tre orë, në një takim të mbyllur ku u diskutua për drejtimin e ardhshëm të forcës më të madhe opozitare.
Ilir Alimehmeti, foli në “Top Story” për domosdoshmërinë e një kursi të ri politik. Ai theksoi se PD duhet të rikthejë besimin e demokratëve, të riorganizohet dhe të hyjë në zgjedhjet e ardhshme si një forcë e konsoliduar.
“Pranverën që vjen mbarojnë të gjitha mandatet. Do të ketë proces zgjedhor të brendshëm dhe një mundësi reale për riorganizim. Kush ka vizionin më të mirë politik do të dijë çfarë duhet bërë,” tha Alimehmeti.
Ai shtoi se demokratët dhe opozitarët në tërësi presin që PD të bëhet një alternativë e fortë ndaj qeverisë aktuale.
“Pranverën që vjen mbarojë të gjitha mandatet. Do ketë votimet të brendshme. Do ketë mundësi të riorganizohet PD, sepse kush e ka vizionin më të mirë politik kupton çfarë duhet të bëjë.
Ne kërkojmë dhe duam atë që do çdo opozitar, partia të forcohet.. të jetë shpresë fitore në zgjedhjet e ardhshme. Këtë do opozita dhe shumë shqiptarë që nuk votojnë PD por janë të lodhur nga qeverisa. Nuk shkohet dot me një kërcim por ka një zinxhir përfaqësimesh.
Në fund fare ne përfaqësojmë njerëz që na kanë votuar dhe duhet të përçojmë fjalën e tyre. Mbeten metodat mes miqsh por nuk është organizmin që optimizon situatën. Shqetësimi mbetet bazë, si ne shkojmë në mënyrë të suksesshme në zgjedhjet e ardhshme, të jemi të sigurt jo me pikëpyetje. Nuk e konceptojë dot garën politike pa e parë kundërshtarin përballë”, u shpreh Alihemeti.











