Një zjarr i rëndë ka përfshirë kompleksin Wang Fuk Court në Tai Po, Hong Kong, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 44 personave, mes tyre edhe një zjarrfikës. Ngjarja ndodhi më 27 nëntor 2025 dhe nisi në orët e para të mëngjesit së mërkurës.
Flakët përfshinë shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit, ndërkohë që zjarrfikësit kanë arritur të vendosin nën kontroll katër prej tyre deri më 28 nëntor. Më shumë se 62 persona kanë mbetur të lënduar, kryesisht nga djegiet dhe thithja e tymit.
Autoritetet kanë arrestuar tre individë — dy drejtorë dhe një konsulent inxhinier të një kompanie ndërtimi — të dyshuar për shpërdorim detyre dhe të mundshëm përfshirje në vdekje njerëzish. Sipas zyrtares së policisë Eileen Chung, ekziston dyshimi se kompania ka vepruar në mënyrë tërësisht neglizhente.
Hetimet paraprake tregojnë se disa materiale të përdorura në muret e jashtme të ndërtesave nuk përputheshin me standardet e sigurisë ndaj zjarrit, duke favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Për më tepër, afër dritareve pranë ashensorëve është gjetur Styrofoam, një material tepër inflamabël.
Zjarrfikësit janë përballur me kushte ekstreme gjatë operacioneve, për shkak të temperaturave shumë të larta në brendësi të ndërtesave dhe rrezikut nga shembja e mbetjeve dhe skelave. Për shuarjen e flakëve janë përdorur platforma të larta për të spërkatur ujin nga jashtë.
Kompleksi strehon rreth 2,000 apartamente me afërsisht 4,800 banorë, shumica të moshuar. Autoritetet raportojnë se rreth 279 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Ky zjarr konsiderohet tragjedia më e rëndë e këtij lloji në Hong Kong prej dekadash, duke tejkaluar ngjarje të rënda si ajo e vitit 1996 në Kowloon.











