Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra më herët nga Sekretaria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood e cila përmendi rreth 700 familje shqiptare që jetojnë me paratë e shtetit anglez, pas kërkesave të dështuara për azil.
Përmes një postimi në “Twitter”, Rama e cilëson zhgënjyese që një përfaqësuese e qeverisë laburistë t’i japë zë një retorike që i ngjan narrativës së ekstremit të djathtë, duke veçuar një numër tejet të vogël familjesh shqiptare, në raport me sfidat shumë më të mëdha që përballon Britania pas Brexit.
“Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Sekretarin e Brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar, @ShabanaMahmood, citojnë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në strehim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rifillimin e kthimit të familjeve. Si mundet një Sekretare e Brendshme e Partisë Laburiste t’i bëjë jehonë kaq dobët retorikës së së djathtës ekstreme populiste – dhe të veçojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë pas Brexit – pikërisht në një moment kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme të Evropës për migracionin e paligjshëm?”, shkruan Rama, teksa më tej kujton se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, që nga fundi i vitit 2022, ka sjellë rezultate të qarta në luftën kundër migracionit të paligjshëm, duke bërë që mbërritjet e parregullta të shtetasve shqiptare drejt Britanisë së Madhe të bien pothuajse në zero.
Rama nënvizon se shqiptarët në Britani janë kontribues neto në ekonomi dhe se përfitimi i ndihmave sociale nga ky komunitet është dukshëm më i ulët krahasuar me të tjerët.
Postimi i plotë i Ramës:
Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Ministren e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar @ShabanaMahmood të përmendë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rinisjen e kthimeve familjare.
Si mundet një Ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post Brexit pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për migracionin e paligjshëm.
Dua t’i kujtoj Ministres së Brendshme se falë punës së përbashkët intensive që nga fundi i vitit 2022 mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse janë zhdukur. Kontrolli i migracionit ka funksionuar. Ndërkohë kufizimet e lëvizjes dhe të vizave nga pala britanike mbeten një relike dështimi e epokës Braverman që dëmton si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve ashtu edhe ekonominë britanike.
Të jemi të qartë, shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe numri i shqiptarëve që marrin përfitime në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. T’i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie.
Shqipëria është dhe do të mbetet një nga aleatët më aktivë të Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin më të gjerë të migracionit në Ballkan. Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë nga mbrojtja te kontrolli kufitar, dhe jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara përfshirë nga grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla.
Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik. Ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe.










