Parlamenti francez do të diskutojë këtë javë një taksë prej 2 euro për importet e modës me vlerë të ulët, në përpjekje për të aktivizuar një masë të ngjashme që do të hyjë në fuqi në të gjithë BE-në në vitin 2028. Ky propozim synon tregtarët e e-commerce me çmime të ulëta nga Kina, si Shein dhe Temu, të cilët kanë përmbytur tregun evropian me produkte mjaft të lira, duke nënçmuar prodhimin lokal ndërsa shkaktojnë brenga lidhur me mbetje dhe qëndrueshmërinë e produkteve.
Komisioni Evropian ka përllogaritur se një numër i madh dërgesash, shumica e të cilave nga Kina, hyn në BE. “Rreth 4.6 miliard dërgesa me vlerë të ulët, që do të thotë mallra me vlerë deri në 150 euro, hynin në tregun e BE-së, duke arritur në 12 milion pako në ditë … duke ngritur shumë shqetësime,” thuhet në raportin e Komisionit. Këto produkte shpesh nënçmojnë standardet e prodhimit evropian, përmbajnë mallra të falsifikuara dhe kanë një ndikim të rëndë mjedisor.
Franca po shqyrton një taksë të mëtejshme prej 5 euro për gjurmët mjedisore, e cila mund të rritet në 10 euro për paketë deri në vitin 2030. Vota e parë për këtë taksë prej 2 euro mund të mbahet të hënën e ardhshme. Në përgjithësi, nën 150 euro, detyrimet doganore nuk aplikohen për mallrat e importuara në BE, megjithatë, aplikohen TVSH.
Qeveria franceze parashikon që kjo taksë për pako të vogla mund të sjellë 500 milion euro deri në fund të vitit të ardhshëm. Ligji që vendos taksën prej 2 euro e kaloi votimin fillestar në Senat dhe tani po pret miratimin përfundimtar nga parlamenti. Në një fjalim më 29 prill, Ministrja e Buxhetit Francez, Amélie de Montchalin, theksoi se ky propozim është “në pritje të reformës së Bashkimit Doganor të BE-së në 2028” dhe se është një mënyrë për të bërë që ata që përfitojnë nga një sistem pa marrë përgjegjësitë e tyre të paguajnë një pjesë të drejtë të taksave.











