Mbrëmjen e 3 nëntorit, në komunën e Rovigos në Itali, një ngjarje e rëndë ndodhi kur një 68-vjeçar qëlloi me armë ndaj një personi që tentoi të futej në shtëpinë e tij. Incidenti përfshinte një tentativë për grabitje të dytë në të njëjtën vilë, ndodhur në zonën Grignano, në rrugën Scolo sinistro Valdentro. Grupi i hajdutëve, me fytyra të mbuluara, kaloi gardhin e vilës për të hyrë brenda, por përballë u gjet pronari, i cili ishte i armatosur me një armë zjarri të lejuar. Ai hapi zjarr dhe plagosi një prej grabitësve, i cili pas incidentit it pështoi me shokët e tij.
Policia e zonës nisi një operacion të shpejtë për identifikimin e autorëve dhe analizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë. Prokuroria e Rovigos sqaroi se ka hapur hetime për “tentativë grabitjeje të rënduar”, por 68-vjeçari nuk është nën hetim, sipas një ligji të ri që mbështet legjitimitetin e mbrojtjes në raste të tilla.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni, përmes mediave sociale, theksoi rëndësinë e mbrojtjes si një e drejtë legjitime. Kryebashkiakja e Rovigos, Valeria Cittadin, shprehu solidaritet me të moshuarin dhe theksoi se pronësia private është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga keqbërësit. Ajo njoftoi gjithashtu se do të fillonte një shërbim policor gjatë natës për të garantuar më shumë siguri në qytet.
Një banor lokal shprehu shqetësimin e tij për sigurinë e shtëpive, duke theksuar nevojën për alarme dhe mbrojtje qytetare. Ngjarja në Rovigos e nxiti sërish debatin publik në Itali mbi të drejtën e vetëmbrojtjes, veçanërisht pas ndryshimeve ligjore që e justifikojnë atë në situata të kërcënimit të drejtpërdrejtë ndaj jetës dhe pronës. Kontestimi rreth sigurisë dhe mbrojtjes private vazhdon të jetë një temë kryesore diskutimi në shoqërinë italiane.










