Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në daljen para mediave dekalroi se Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%.
Gjithashtu Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Sipas guvernatorit Sejko qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen.
Fjala e plotë e guvernatorit të BSH, Gent Sejko:
Sot, më 6 gusht 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë.
Analiza e informacionit të disponuar sugjeron se ekonomia shqiptare, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit makroekonomik, monetar e financiar të vendit janë përmirësuar më tej. Në veçanti, inflacioni ka vijuar të qëndrojë në nivele të ulëta, duke shënuar një rritje të lehtë drejt objektivit në tremujorin e dytë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje.
Kjo ecuri pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës së kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Përqasja jonë konsistente ndaj objektivit ligjor të stabilitetit të çmimeve ka gjeneruar kushte monetare të përshtatshme për kontrollin e inflacionit dhe për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.
Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë edhe në të ardhmen. Ndonëse pasiguritë në ambientin e huaj mbeten të larta, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme pranë potencialit, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës sonë monetare mbetet i përshtatshëm.
Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë.
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar 2.3% në tremujorin e dytë të vitit, duke regjistruar një rritje të lehtë dhe të pritur krahasuar me tremujorin e parë. Megjithatë, edhe pas kësaj rritjeje, norma e inflacionit vijon të qëndrojë nën objektivin tonë prej 3%. Në këndvështrimin e artikujve të shportës së konsumit, rritja e inflacionit u diktua nga rritja më e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të qirave, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte relativisht i qëndrueshëm.
Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e njëkohshme të inflacionit bazë dhe jobazë. Inflacioni bazë u rrit nga niveli 2.4% në tremujorin e parë në nivelin 2.6% në tremujorin e dytë, si pasojë e stabilitetit në rritje të kursit të këmbimit dhe e presionit të vazhdueshëm që rritja e shpejtë e pagave ka sjellë në inflacion. Paralelisht me të, edhe inflacioni jobazë shënoi rritje, por ajo u amortizua pjesërisht nga ngadalësimi i ritmit të rritjes së çmimeve në partnerët tanë tregtarë.
Këto tendenca kanë qenë – në tërësi – në linjë me pritjet tona. Megjithatë, niveli i inflacionit rezultoi disi më i ulët se parashikimet tona, si pasojë e reduktimit të marzheve të fitimit të bizneseve, e vijimit të goditjeve pozitive të ofertës, si dhe e rënies më të shpejtë se pritjet të inflacionit në Eurozonë.
Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit. Informacioni indirekt mbi zhvillimet ekonomike sugjeron për ritme të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë. Rritja ekonomike e gjysmës së parë të vitit është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve, si dhe i eksportit të shërbimeve. Ky profil kërkese agregate ka nxitur zgjerimin e sektorëve të ndërtimit e të shërbimeve, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren gjatë tremujorit të parë.
Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi pozitiv për të ardhmen i familjeve dhe bizneseve, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Politika e kujdesshme dhe konsistente monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol parësor në përmirësimin e kushteve të financimit.
Lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të fundit ka ulur kostot e financimit të sektorit bankar dhe yield-in e bonove 12-mujore të thesarit, i cili shërben si referencë për normat e interesit të kredive. Paralelisht me të, normalizimi i pritjeve për inflacionin ka ndihmuar në kontrollin e segmentit afatgjatë të kurbës së normave të interesit dhe ka nxitur funksionimin normal të tregjeve financiare. Së fundi, rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka ndihmuar në absorbimin e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të tij.
Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, prime të reduktuara rreziku, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive të tij ndaj kreditimit.
Kredia për sektorin privat vijoi të rritet më tej gjatë tremujorit të dytë. Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë shënoi nivelin 15.4%, me një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin e parë, por duke qenë më se i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat për fonde të bizneseve e familjeve. Në veçanti, kreditimi i sektorit privat vijon të mbetet i fokusuar në mbulimin e nevojave të bizneseve për investime, si dhe të familjeve për konsum e blerje banesash.
Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive.
Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit. Rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.
Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Kjo ecuri do të ndihmohet nga një balancim më i mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, nga stabilizimi i inflacionit në tregjet ndërkombëtare, nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit, si dhe nga ankorimi më i mirë i pritjeve për inflacionin.
Megjithatë, panorama e rreziqeve për të ardhmen mbetet komplekse. Në veçanti, rritja e barrierave tregtare në tregjet e huaja dhe rritja e tensioneve gjeopolitike mbeten faktorë të rëndësishëm pasigurie në parashikimet ekonomike.
Materializimi i skenarëve më negativë të rrezikut do të kishte pasoja potenciale negative në ecurinë ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen. Ai mundëson transmetimin gradual në tregjet financiare të uljes së normës bazë të interesit që ndërmorëm në fillim të muajit korrik, si dhe ofron një balancë të drejtë midis nxitjes së rritjes ekonomike në afatin e shkurtër me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste.
Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë.