Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim, sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 20:00.
Situata më problematike raportohet në Tërbun-Gojan të Pukës, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
Forcat në terren po punojnë për izolimin e zjarrit, ndërsa MZSH-ja është përqendruar në mbrojtjen e banesave. Deri në mbrëmje, nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Vatra aktive janë evidentuar gjithashtu në Dajt dhe Priskë në Tiranë, Lufaj në Mirditë dhe Shashicë në Selenicë.
Në Dajt dhe Priskë nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa në Lufaj zjarri vijon me intensitet të ulët. Në Gurë-Lurë zjarri është shuar, ndërsa në Qafë Helmes vatra është izoluar dhe zonat vijojnë të monitorohen.











