Një 48-vjeçar ka rënën ë prangat e policisë në Kurbin, pasi akuzohet se ka dhunuar ish-bashkëshorten.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në aksin “Laç-Patok”, ku i arrestuari i ka bërë pritë gruas, teksa ajo drejtonte makinën e saj. 48-vjeçari i ka prerë rrugën duke përplasur dy mjetet e tyre. Më pas, ai i ka thyer xhamin e makinës me mjete të forta dhe e ka goditur. Sipas raportimeve, gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj ish-bashkëshortit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, vunë në pranga, në Tiranë, shtetasin I. Ll., 48 vjeç, banues në Laç. Kjo pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte, i ka bllokuar lëvizjen, në aksin rrugor “Laç-Patok”, automjetit që drejtonte ish-bashkëshortja e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Nga kjo, automjetet janë përplasur dhe si pasojë ka patur vetëm dëme materiale. Më pas, 48-vjeçari, dyshohet se ka thyer me mjet të fortë, xhamin e automjetit që drejtonte shtetasja dhe e ka dhunuar.









