Qeveria argjentinase ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve masive që po përfshijnë katër provinca të rajonit të Patagonisë. Që nga fillimi i verës, flakët kanë shkrumbuar qindra mijëra hektarë, duke prekur kryesisht provincat Chubut, Río Negro, Neuquén dhe La Pampa.
Urdhri ekzekutiv i presidentit synon të përmirësojë koordinimin mes autoriteteve provinciale dhe atyre kombëtare në përballjen me këtë emergjencë.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në provincën Chubut janë djegur rreth 450 mijë hektarë pyje. Situata më kritike paraqitet në Parkun Kombëtar Los Alerces, ku flakët kanë shkatërruar afro 200 mijë hektarë bimësi.
Për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara, janë angazhuar qindra zjarrfikës, të mbështetur nga 19 mjete ajrore. Paralelisht, janë kryer edhe djegie të kontrolluara për të mbrojtur lokalitete si Cholilla dhe Esquel.
Një tjetër vatër e madhe zjarri në departamentin Epuyén ka përfshirë rreth 220 mijë hektarë dhe aktualisht është vënë nën kontroll në masën 85%.
Disa nga këto zjarre janë aktive që nga fillimi i dhjetorit dhe janë përkeqësuar herë pas here nga kushtet atmosferike, si temperaturat e larta, erërat e forta dhe rrufetë.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima nga zjarret në Patagoni, ndryshe nga vendet fqinje, ku zjarret sezonale kanë shkaktuar humbje jete.
Për të përballuar situatën, qeveria argjentinase ka akorduar një ndihmë emergjente prej 86 milionë dollarësh amerikanë për organizatat vullnetare dhe strukturat që merren me zjarrfikjen.
Edhe pse reshjet e fundit kanë ndihmuar disi në lehtësimin e punës së zjarrfikësve, disa vatra mbeten ende aktive. Autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet delikate dhe alarmante, ndërsa rreziku i përhapjes së zjarreve vazhdon të kërcënojë edhe provinca të tjera të vendit.










