Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën se asnjë nga objektet energjetike të vendit të tij nuk ka shpëtuar nga sulmet e Rusisë. Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Zelensky kërkoi që lufta të përfundojë me dinjitet.
Ai dha detaje për mundësinë e zgjedhjeve në Ukrainë dhe kritikoi presidentin rus Vladimir Putin.
Duke iu referuar Putinit, Zelensky tha se “ai nuk mund të heqë dorë nga ideja e luftës. Nëse jeton edhe 10 vjet të tjera, lufta mund të kthehet ose të zgjerohet. Prandaj na duhen garanci reale sigurie para se të mbarojë lufta.” Ai shprehu shpresën se presidenti Trump dhe Kongresi amerikan do ta dëgjojnë.
Sa i përket zgjedhjeve në Ukrainë, Zelensky tha se ato janë të mundshme vetëm nëse arrihet një armëpushim që lejon qytetarët të votojnë.
“Natyrisht që askush nuk mbështet zgjedhje në kohë lufte. Është e çuditshme,” tha ai. Sidoqoftë, shtoi se nëse Uashingtoni mund të arrijë një armëpushim dy mujor, “ne do të organizojmë zgjedhje.”
Duke folur për përfundimin e luftës, Zelensky u shpreh i sigurt se konflikti mund të përfundojë me dinjitet, por theksoi se SHBA shpesh e pyesin Ukrainën për koncesionet e mundshme, por nuk i kërkojnë të njëjtën Rusisë. Ai shpreson se raundi i ardhshëm i bisedimeve në Gjenevë do të jetë i dobishëm, edhe pse shpesh ndodh që palët flasin për gjëra të ndryshme.











