Te Atlético Madrid ka shpërthyer zemërimi pas ndeshjes ndaj Barcelona, për shkak të vendimit për të anuluar kartonin e kuq të Gerard Martín. Në fillim të pjesës së dytë, arbitri i tregoi mbrojtësit të Barça një të kuq direkt për ndërhyrjen ndaj Thiago Almada, por pas rishikimit me VAR vendimi u ndryshua.
Klubi madrilen reagoi menjëherë edhe në rrjetet sociale, duke e krahasuar këtë episod me një rast të ngjashëm në ndeshjen Betis-Rayo, ku Komiteti Teknik i Arbitrave kishte vlerësuar se ndërhyrja duhej ndëshkuar me të kuq. Sipas Atlético, edhe rasti i Gerard Martín duhej të trajtohej njësoj.
Pas ndeshjes foli edhe Le Normand, i cili u shpreh se po ta kishte bërë ai atë ndërhyrje, do të ishte përjashtuar pa asnjë dyshim. Edhe Simeone ishte i qartë në deklaratën e tij, duke thënë se lojtari i Barcelona ishte me vonesë dhe i shkeli të gjithë kyçin kundërshtarit.
Te Atlético besojnë se ky episod ndikoi drejtpërdrejt në rrjedhën e ndeshjes dhe tani presin që Komiteti Teknik i Arbitrave të japë një sqarim zyrtar gjatë javës për këtë rast polemik.











