Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelensky, njoftoi sot se ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Lajmi vjen një ditë pasi Zelensky bëri publike detaje nga një plan i ri paqeje, që synon t’i japë fund luftës me Rusinë.
“Diskutuam disa detaje të rëndësishme të punës që është në zhvillim. Ka ide të mira që mund të kontribuojnë në një rezultat të përbashkët dhe në një paqe të qëndrueshme”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Ai e cilësoi bisedën si “shumë të mirë” dhe falënderoi përfaqësuesit amerikanë për qasjen konstruktive, angazhimin intensiv dhe fjalët pozitive.
“Shpresoj që marrëveshjet e arritura sot, me rastin e Krishtlindjeve, dhe idetë që diskutuam, të rezultojnë të dobishme”, shtoi presidenti ukrainas.
Plani i ri i paqes, i prezantuar një ditë më parë nga Zelensky, parashikon ngrirjen e vijës së frontit në pozicionet aktuale, pa dhënë një zgjidhje të menjëhershme për territoret e pushtuara nga Rusia, të cilat përbëjnë rreth 19% të territorit të Ukrainës. Ndryshe nga versioni fillestar, dokumenti i ri nuk përfshin kërkesa kyçe të Moskës, si tërheqja e forcave ukrainase nga zonat e Donbasit që ende kontrollohen nga Kievi dhe angazhimi ligjor i Ukrainës për të mos u anëtarësuar në NATO.
Për këtë arsye, vlerësohet se Rusia ka pak gjasa ta pranojë propozimin. I pyetur për planin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Moska “po shqyrton qëndrimin e saj”, duke shmangur komentet mbi detajet.











