Policia e Tiranës ka goditur një bazë armatimi që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.
Gjatë këtij operacioni, janë sekuestruar 9 armë zjarri (5 automatikë, 1 pushkë dhe 3 pistoleta), 1 armë gjahu, një silenciator, uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë, si dhe rreth 900 fishekë luftarakë, fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
Sipas Policisë, ndërhyrja erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operativo-ligjore se në fshatin Picallë mbahej një bazë armësh me qëllim shitjen e tyre tek grupe kriminale. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit O. Q., u zbulua dhe u godit kjo bazë armatimi.
Në kuadër të operacionit, u arrestua në flagrancë një grua 66-vjeçare: “Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasja M. H., 66 vjeçe, banuese në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi O. Q., 41 vjeç, banues në Tiranë.”
E arrestuara është nëna e shtetasit të shpallur në kërkim.
Policia bën të ditur se armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.











