Policia e Fierit ka finalizuar operacionin “Neë Start 2” pas një muaji hetime dhe ka vënë në pranga dy persona, babë e bir, Adiol Hada 34 vjeç dhe Asqeri Hada 61 vjeç.
Policia, pas informacioneve se 34-vjeçari shiste drogë dhe posedonte armë zjarri, e ndaluan në dalje të fshatit Suk, Roskovec.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza gati për shitje.
Në vijim të operacionit, nga kontrolli i banesës dhe i lokalit në pronësi të tij dhe babait të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 17.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, e përpunuar dhe e ndarë në doza gati për shitje, 2 armë zjarri pistoletë, 2 armë zjarri automatike, 2 granata luftarake, 1110 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 2 aparate celularë dhe 1 motomjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi edhe i shtetasit Asqeri Hada, 61 vjeç.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.











