Policia ka finalizuar në Peqin operacionin e koduar “Syri i natës” ku asgjësuan 112 bimë narkotike që ishin kultivuar në vendin e quajtur “Zabeli i Akaciave”, në fshatin Karinë. Po ashtu policia ka sekuestruar 3 armë zjarri, municioni luftarak, armë gjuetie, kapsolla detonatore dhe armë të ftohta.
Në pranga kanë ranë 5 persona: Qemal Kaseja dhe Qazim Kaseja (babë e bir), Erges Juba, Altin Haskasa dhe Ali Haskasa (babë e bir). Ndërkohë, në kërkim është shpallur shtetasi A. J.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Syri i natës”.
Në kuadër të operacionit: -u arrestuan në flagrancë shtetasit: Q. K., 67 vjeç, Q. K., 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Karinë, E. J., 37 vjeç, banues në Peqin dhe A. H., 31 vjeç dhe A. H. 59 vjeç(babë e bir), banues në fshatin Garunjë e vogël -nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 32 vjeç ; -u shpall në kërkim shtetasi A. J.
Gjatë operacionit, u gjetën të kultivuara në vendin e quajtur “Zabeli i Akaciave”, në fshatin Karinë, 112 bimë narkotike, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Nga kontrollet në banesat e këtyre shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pistoleta dhe sasi municioni luftarak për to, 1 armë gjuetie, kapsolla detonatore me fitil zjarrpërcjellës, thika dhe targa automjeti.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, kapjne e shtetasve në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.