Seanca e radhës plenare në Kuvend do të zhvillohet të enjten më 12 mars në orën 10:00. Lidhur me seancën e të enjtes është zbuluar rendi i ditës ndërsa pika e parë është imuniteti i Belinda Ballukut.
Gjithashtu sipas rendit të ditës janë edhe dy projektligje. Nga ana tjetër të enjten në orën 10:00 opozita do te mblidhet para Kuvendit për protestën e radhës.
Rendi i ditës:
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 2 – 20 mars 2026,
URDHËROJ:
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.3.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.3.2026.
2. Njoftime.
3. Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
4. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”.
6. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
7. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.











